E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, mashtrim me agjencinë e rreme turistike

TIRANE - Mashtroi katër nigerianë për të udhëtuar si turistë në Shqipëri, kundrejt 760 eurove për person, arrestohet i akuzuari për mashtrim. 

Ndalimi i të dyshuarit, për mashtrimin e katër nigerianëve, është bërë pas mbërritjes së kallëzimit të shtetasve nigerianë në Shqipëri nëpërmjet Ministrisë së Jashtme. Edmir Cjapi, 28 vjeç ka hapur një agjenci turistike fantazmë, e madje ka krijuar për të edhe një faqe interneti, për të tërhequr "turistë". Personat për të ardhur në Shqipëri si turistë, do të përdornin faqen e internetit, për të kryer pagesën nëpërmjet një shoqërie të dërgesave të parave. Në faqen e tij, Cjapi, kishte vendosur edhe disa numra telefonash me të cilët të interesuarit mund të kontaktonin, për të kryer udhëtimin e tyre. Nigerianët kanë kryer në internet prenotimet për udhëtimet e tyre dhe nëpërmjet agjencisë së dërgesave, kanë dërguar në llogarinë Edmir Cjapit, 760 euro. Në rrjetën e Edmir Cjapit, kanë rënë preh katër persona nga Nigeria, të cilët duket se kanë qenë të lumtur që iu ka dalë një mundësi udhëtimi për në Evropë. Por ndërsa prisnin të niseshin për udhëtimin turistik në Shqipëri, askush nuk iu përgjigjej. Të katër nigerianët, kanë denoncuar në policinë vendase mashtrimin e kryer nga një faqe interneti fantazmë, që identifikohej në Shqipëri. Pas denoncimit, Nigeria nëpërmjet kanaleve të saj të Ministrisë së Jashtme e ka sjellë denoncimin në Ministrinë e Jashtme shqiptare.                                   d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›