Berisha e zëvendëson Halimin me Viktor Gumin
Tiranë - Berisha emëron si zëvendësministër të Drejtësisë Viktor Gumin. Emërimi bëhet një ditë pas largimit nga kjo detyrë të Eduard Halimit, të cilit iu besua posti i Avokatit të Shtetit. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë pohuan për gazetën “Albania” se kryeministri Berisha ka përzgjedhur një emër të brendshëm të kësaj ministrie për detyrën e zëvendësministrit. Me propozimin e kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi pak ditë më parë emërimin në detyrën e zëvendësministrit të Drejtësisë, Viktor Gumi. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e prezantoi atë dje para administratës së Ministrisë dhe e vlerësoi “si njohës i thellë i ligjit në të gjitha fushat e administrimit gjyqësor”. Nga ana e tij zëvendësministri i ri shprehu përkushtimin në kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme. Para emërimit Viktor Gumi ka kryer detyrën e drejtorit të Përgjithshëm i Kodifikimit, të cilën e mori në vitin 2006, pas shtatë viteve eksperiencë si këshilltar dhe drejtor i Departamentit Juridik në Parlament. Ai është gjithashtu anëtar i Komisionit të Venecias, i bordit të Shkollës së Magjistraturës si dhe që prej 2006-s pedagog i jashtëm në këtë shkollë. Gumi është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1996. Është i certifikuar në kursin afatgjatë për Draftimin Ligjor nga RIPA Internacional –London (distinction) si dhe zotëron LLM në Internacional Human Rights Law, University of Essex, United Kingdom (distinction). Zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.
25 Qershor 2008