Berisha eTafaj çmime për nxënësit e mësuesit
Në një ceremoni të posaçme, organizuar dy ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj dhanë certifikata dhe çmime për nxënësit, mësuesit dhe shkollat më të mira të Shqipërisë për vitin 2009. Duke përshëndetur këtë eveniment, Kryeministri Berisha shprehu falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë nxënësve, mësuesve, edukatorëve të brezit të ri, për punën dhe përkushtimin e dëshmuar gjatë vitit 2009 e në vazhdim, në garën e dijes. Ndërsa ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, theksoi se kjo nismë e Ministrisë së Arsimit do të kthehet tashmë në një traditë të përvitshme, në çdo fundvit, si një vlerësim real, por edhe si motivim dhe nxitje për rezultate dhe cilësi akoma më të lartë në sistemin tonë arsimor. U nderuan me Medalje të Artë, 4 nxënës të shkollave të mesme, që kanë mbaruar këto studime me rezultate të shkëlqyera. Ndërsa me Certifikatën e Mirënjohjes 5 nxënës të shkollave 9-vjeçare, të vlerësuar me çmime të para në konkurse e olimpiada ndërkombëtare. MASH vlerësoi të gjithë nxënësit me një dhuratë të veçantë. Në kuadër të nismës “Shqipëria në moshën e Internetit”, MASH dhuroi për këta nxënës, nga një lap-top, për t’i dhënë mundësi të vazhdojnë në rrugën e tyre të arsimimit edhe nëpërmjet internetit.