E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Mjekët e urgjencave në gatishmëri për ditët e festave

 zirina llambroGatishmëri maksimale e stafit mjekësor për ditët e festive. Urgjencat do të përforcojnë ekipet e rojës për të garantuar shërbim sa më cilësor për këdo që do ketë nevojë. Duke ditur që cçdo fundvit në dyert e spitaleve paraqiten dhjetëra qytetarë, ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dha dje një urdhër të ri. Gjatë takimit me drejtuesit e spitaleve të vendit ai kërkoi sigurimin e materialeve mjekësore në shërbimin e urgjencës, përforcim të ekipeve të rojës dhe afishimin e listave përkatëse me emrat të personelit mjekësor, që do të shërbejë gjatë ditëve festive. “Mjekët nuk kanë festa zyrtare dhe as fundjava. Nëse të tjerët festojnë, ne duhet të jemi në krye të detyrës”, tha Vasili. Ai shtoi se, do të jetë një ndër ata mjekë që festat e fundvitit do t’i kalojë në kryeqytet, duke monitoruar jo vetëm situatën e fundit gripale, por dhe ecurinë e punës së të gjitha qendrave shëndetësore dhe spitaleve në vend. “Ndaj, mos iu duket çudi, nëse një moment iu bie celulari dhe numri thirrës është ai i ministrit të Shëndetësisë”, shtoi Vasili, duke e vënë theksin në kujdesin maksimal dhe masat që duhet të marrin të gjithë shërbimet shëndetësore në këto ditë festash për të qenë sa më afër popullatës. “Shefat e shërbimeve të përcaktojnë specialistët që do të jenë në gatishmëri “on call” në rast se paraqitet nevoja, duke afishuar listën pranë shërbimeve përkatëse dhe të urgjencës”, thuhet në urdhrin që u është dërguar dje të gjitha spitaleve në vend. Vitin e kaluar, në natën e ndërrimit të viteve, rreth 500 persona janë paraqitur në urgjencat e spitaleve të vendit. Pjesa më e madhe e tyre me helmime nga ushqimet, por nuk kanë munguar as aksidentet apo plagosjet. Urgjencat do të punojnë 24 orë me kapacitetin e përditshëm të punës sipas një grafiku të shpërndarë të mjekëve. Urgjenca që popullohet më shumë çdo fundvit është ajo e spitalit infektiv, por edhe ajo e Spitalit Ushtarak, me qendrën e vetme të traumës në vend, që jep shërbim mjekësor për aksidentet e plagosjet. Gjithashtu, vitin e kaluar fluks ka pasur edhe urgjenca kirurgjikale e spitalit “Nënë Tereza”, ku janë sjellë me dëmtime nga fishekzjarrët një sërë qytetarësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›