“Ndërtimorja, negociata në Kuvend”
BLEDAR HOTIKryetarja e Kuvendi, Jozefina Topalli i bën thirrje opozitës të vijë në Kuvend për të diskutuar për projektligjin e ri të qeverisë “Inspektoratin e Ndërtimit”. Në konferencën e djeshme për shtyp, kryeparlamentarja duke diskutuar për letrën e Kryetarit të PS-së, Edi Rama, dërguar dy ditë më parë për mos miratimin e këtij drafti, u shpreh se ky është një moment që opozita të jetë prezente në Parlament. “është një rast për të përsëritur ftesën për deputetët e Partisë Socialiste për të ardhur, për të diskutuar, për të shqyrtuar, për të diskutuar pastaj në seancë plenare edhe për këtë ligj, të cilin zoti Rama e ka merak. Por, do të shtoj edhe diçka tjetër. çështja e sigurisë publike dhe kombëtare është kryesisht çështje e pushtetit qendror dhe ajo që ka ndodhur me pallatin në Gjirokastër nuk mund të ndodhë më. Ne nuk mund ta lejojmë. Këtu secili merr përgjegjësitë e veta, por unë shfrytëzoj këtë rast që të ftoj deputetët për ta diskutuar edhe këtë ligj, për të cilin zoti Rama ka dërguar letër, është rasti”, tha Topalli. Numri i një Kuvendit theksoi se Kryetari i PS-së t’i lejojë deputetët e partisë së tij të hyjnë në Kuvend. Ndërsa për sa i përket kërkesave të opozitës, Topalli shprehet se ofrojmë çdo gjë që është e ligjshme dhe Kushtetuese. “Si Kryetare e Kuvendit, jo se ia ofroj unë, por ia ofron Kushtetuta dhe Rregullorja të gjitha hapësirat, të gjitha mundësitë e kontrollit parlamentar, mundësi të pyetjeve drejtuar Qeverisë, mundësi të interpelancave, mundësitë e punës, të kompromiseve dhe negocimeve brenda komisioneve parlamentare. Unë nuk jam Kryetare e gjykatës, jam Kryetare e Parlamentit, mos më ngatërro. Unë jam Kryetare Parlamenti nuk jam Kryetare gjykate. Këtu edhe të dua s’më le Kushtetuta, është pushtet tjetër. Jam shumë krenare që jam Kryetare e Parlamentit, respektoj fort pushtetin gjyqësor”, tha Topalli. Sipas saj fryma e kompromisit, marrëveshjet ekzistojnë në Kuvend dhe se historia e parlamentarizmit e ka dëshmuar një gjë të tillë, ku janë miratuar Kodi Elektoral, Kushtetuta. Ndërsa për sa i përket mandatet të deputetëve të PS-së, Topalli, ndryshe ka qenë më e rezervuar të shprehet, nëse do të zbatohet Kushtetuta, duke iu djegur mandati, pas mbarimit të afatit. “Unë nuk kam arsye për të ecur me hipoteza të tilla. Unë, si Kryetare e Kuvendit, dëshiroj që zoti Rama t’i lejojë të vijnë në Parlament dhe apeli është për zotin Rama t’i lejojë deputetët të vijnë dhe të ushtrojnë mandatin e tyre. T’i lejojë deputetët që të vijnë dhe të sjellin këndvështrimin opozitar në Kuvendin e Shqipërisë. T’i lejojë deputetët që të përcjellin mendimin e të gjithë votuesve socialistë, të cilët më 28 qershor kanë votuar që Partia Socialiste të bëjë detyrën e shenjtë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme të opozitës”, tha Topalli. Kryeparlamentarja ka bërë një ekspoze të punës së institucionit që drejton në këtë sesioni dimri. ‘Në këtë sesion të parë, në 17 seanca plenare, në mbi 47 orë diskutime parlamentare, Kuvendi me përgjegjësinë e institucionit përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, përmbushi rolin e tij kushtetues duke vazhduar më tej reformat e rëndësishme të vendit. Në këtë sesion u miratuan 70 ligje dhe 20 vendime nga 44 ligje dhe 15 vendime në legjislaturën e mëparshme, ose rreth 70% më shumë se në legjislaturën e kaluar, për të njëjtën periudhë”, theksoi Topalli.