E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti i Tiranës në gjykatë: Të pezullohet kryepolici bashkiak

 TIRANE – Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, shton në objektin e padisë së tij civile ndaj kryebashkiakut Edi Rama edhe kërkesën për pezullim nga detyra të kryeinspektorit të Policisë Bashkiake, Zydi Dajti. Vendimi është marrë dy ditë më parë nga gjyqtarja e kësaj çështjeje Ariana Caco, në seancën e radhës së përballjes mes prefektit dhe kryebashkiakut të Tiranës. Ndërkohë, bëhet e ditur se për këtë kërkesë, gjykata do të shprehet në vendimin e saj përfundimtar. Deri para kësaj kërkesë shtesë, padia e ngritur ndaj kryebashkiakut Rama kishte të bënte me pretendimin e prefektit se shkarkimi nga detyra i kryeinspektorit të Policisë Bashkiake 2 muaj më parë nga Rama ishte bërë në kudërshtim me ligjin. Në të njëjtën kohë, si e jashtëligjshme nga ana e institucionit të prefekturës pretendohej edhe emërimi i kreut të ri të kësaj strukture policore. “Shpallje si akte absolutisht të pavlefshme të vendimit datë 06.10.2009 për largim nga detyra të kryeinspektorit të Policisë Bashkiake dhe vendimit datë 06.10. 2009 për emërim në detyrë të kryeinspektorit të Policisë Bashkiake të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, thuhej në objektin e padisë së prefektit. Kjo padi u regjistrua në gjykatë më 9 nëntor të këtij viti, ndërsa deri tashmë janë zhvilluar tre seanca gjyqësore. Sipas palës paditëse, kompetenca për të emëruar kryeinspektorin është e institucionit të prefekturës. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›