E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra e Kontrollit të Barnave dhuron gjak për fëmijët talasemikë

 Ju ka mjaftuar vetëm dhjetë minuta të shkëputura nga tetorëshi i gjatë i punës, për të bërë dhuratën më të bukur në këtë fundvit. “Një dhuratë për jetën”. Kjo do të ishte fjalia që përshkruan më së miri aktin e punonjësve të Qendrës për Kontrollin e Barnave. Dje në ambientet e qendrës i gjithë stafi ka dhuruar gjak për fëmijët talasemikë dhe pacientët e tjerë të vegjël që kanë nevojë për të. Qendra e Kontrollit të Barnave duket se ka qenë ndër të parat institucione, që i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së shoqatës “Fëmijët shqiptarë”, drejtuar nga zonja Liri Berisha. Rreth orës 10.00 të mëngjesit, një automjet i Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut ka ndaluar në oborrin e Qendrës së Kontrollit të Barnave. Ndërkohë, një nga ambientet e institucionit, për një paradite të vetme është kthyer në një miniambulancë, ku matej tensioni, bëheshin analizat paraprake para se të fillonte dhurimi i gjakut. Një akt që i janë përgjigjur pozitivisht të gjithë punonjësit e dikasterit, nga drejtori dhe deri tek punonjësit e thjeshtë të shërbimit. “I falënderoj të gjithë ata punonjës që vetëm për dhjetë minuta u kanë bërë këtyre fëmijëve një dhuratë kaq të çmuar”, ka thënë drejtori i Qendrës Besnik Jakaj. Sipas drejtorit Jakaj, ky është një akt solidariteti dhe një përgjigje pozitive ndaj apeleve të shoqatës Fëmijët Shqiptarë”. Eshtë një veprim, që gjithkush nga ne nuk duhet të hezitojë ta kryejë, sepse shpëton jetë.Punonjësit e Qendrës së Kontrollit të Barnave kanë treguar gatishmëri maksimale, duke kryer një akt human. çdo qytetar që gëzon shëndet të mirë nuk duhet të hezitojë të dhurojë gjak. Eshtë gjesti më njerëzor që duhet të lindë brenda secilit prej nesh. Dhurimi i gjakut nuk është vetëm detyrim qytetar. Mjekët thonë se dhurimi i gjakut të paktën një herë në vit ndihmon në pastrimin e gjakut dhe rigjenerimin e organizmit të secilit prej nesh. Askush nuk duhet të shohë si një veprim që duhet kryer kur të afërmit kanë nevojë. Me 400 gramë gjak të dhuruar nga trupat e tyre, punonjësit e Qendrës së Kontrollit të Barnave i dhuruan “jetë” të vegjëlve që kanë nevojë për të. Dje gjaku i tyre që shkoi tek këta fëmijë talasemike, ndoshta ishte dhurata më e mençur që mund të bëhej në këtë fundvit. Në të gjithë vendin janë rreth 500 fëmijë talasemikë, të cilët duhet të kryejnë periodikisht transfuzion të gjakut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›