E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, Kina dhe Qiproja kundër Kosovës, Kroacia deklarohet pro



Blerina Olldashi
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kanë dhënë dje mendimet e tyre mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës Kina, Kroacia, Qiproja dhe Danimarka. Siç ishte pritur, Kina dhe Qiproja e kanë kundërshtuar atë, duke insistuar në parimin e paprekshmërisë së tërësisë territoriale, ndërsa Kroacia, e ka mbrojtur fuqishëm shtetin e ri, duke sjellë si shembull pozitiv edhe proceset politike që kanë çuar deri tek krijimi i tij. Në këtë proces fillimisht është deklaruar Kina. Ambasadorja e këtij vendi në Holandë, Su Hançin, duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ka thënë se “ajo fton për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë”. Su Hançin i është kthyer vitit ’99, duke pohuar se “NATO-ja kishte ndërhyrë në Kosovë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit dhe kishte shkaktuar katastrofë humanitare”. Përfaqësuesja e Kinës ka thënë se “respektimi i integritetit territorial është parim thelbësor i OKB-së dhe OSBE-së” dhe se “shkelja e këtij parimi gjithnjë ka çuar drejt tensioneve dhe konflikteve”. Su Hançin ka thënë se “vetëvendosja mund të miratohet në rastet e kolonive dhe pushtimeve të jashtme dhe jo në raste të pjesëve integrale dhe shumëetnike të një shteti sovran, siç është rasti me Kosovën”.
Përfaqësuesja e Kinës ka mbyllur ekspozenë e saj me pohimet se “Pekini gjithnjë është angazhuar për zgjidhje politike dhe të pranueshme për palët e konfrontuara në Ballkan”. Qiproja në këtë seancë është përfaqësuar me tre përfaqësues dhe në thelb, argumentet e tyre ishin në fakt në anën e Serbisë. Ata thanë se “ndarja nuk është akt neutral dhe, rrjedhimisht, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë duhet të deklarohet për këtë çështje”. Aspekti tjetër i ngritur nga ky vend është fakti se “Qiproja mohon se Kosova ishte rast ‘sui generis’ dhe vetëvendosja nuk u takon pakicave, siç i kanë cilësuar ata shqiptarët e Kosovës”.
Pas Qipros ka folur përfaqësuesja e Kroacisë, Andreja Metelko Zgombiç, që ka mbështetur fuqishëm pavarësinë e Kosovës.
Ajo ka thënë se pavarësisë së Kosovës e ka paraprirë një proces politik dhe ka shtuar se Kosova është një rast ‘sui generis’.
Andreja Metelko Zgombiç ka pohuar se pos Kroacisë, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur edhe vendet tjera fqinje që ishin pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, ajo ka qenë në harmoni me normat ndërkombëtare, ka thënë Andreja Metelko Zgombiç, për të shtuar se nuk ka asnjë rregull në të drejtën ndërkombëtare që ndalon ose sanksionon ndarjen. Ajo ka thënë se shpallja e pavarësisë nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244, për të shtuar se ekzistimi i Kosovës si shtet është “fakt ndërkombëtar”. Përfaqësuesja e Kroacisë i ka bërë një vështrim pozitës së Kosovës brenda ish-Jugosllavisë dhe represionit dhe dhunës që ishte ushtruar mbi shqiptarët. “Asnjë ndryshim i pozitës kushtetuese të njësive federale dhe rrjedhimisht edhe i Kosovës nuk ka mundur të bëhet pa pëlqimin e tyre”, ka thënë Andreja Metelko Zgombiç, për të shtuar se ky parim nuk është respektuar në rastin e Kosovës. Pas Kroacisë ka folur përfaqësuesi i Danimarkës, Tomas Uinkler, që fillimisht ka thënë se nuk ka dispozitë në të drejtën ndërkombëtare që ndalon shpalljen e pavarësisë. Ai ka pohuar se Rezoluta 1244 nuk është neutrale dhe nuk përjashton pavarësinë si epilog i mundshëm i procesit politik për Kosovën dhe rrjedhimisht shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të. Sot në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të deklarohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Spanja dhe Finlanda.

Beogradi shpreson që Haga të pengojë njohjet e Kosovës

Beogradi synon që, pas përfundimit të shqyrtimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, të “mos ketë më njohje të Kosovës”. Ministri i jashtëm Vuk Jeremiç është shprehur se pretendon që Kosova të mos anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, pasi ky privilegj u takon shteteve sovrane. Sipas Jeremiç, kjo është detyrë e diplomacisë serbe dhe nëse do të jetë e suksesshme, “do të bëhet e qartë se nuk ekziston alternativa e rifillimit të negociatave”, ka thënë Jeremiç në një intervistë për gazetën “Blic” të Beogradit. Jeremiç ka kërcënuar Malin e Zi, pas paralajmërimit të Podgoricës zyrtare se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Prishtinën, duke thënë se kjo “paraqet futje e panevojshme e gishtit në syrin e Serbisë”. “Megjithatë nëse ndodh, do të reagojmë në mënyrë adekuate, në pajtim me interesat tona shtetërore”,- tha Jeremiç, duke lënë të kuptohet se Beogradi sërish do të dëbojë ambasadorin malazez.

8 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›