E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Gambling 2” bllokon 65 subjekte të lojërave të fatit



Eljona Lata

TIRANË – Të paktën 65 subjekte që kanë aktivitet lojërash fati janë bllokuar, 66 persona janë vënë nën hetim dhe mbi 400 mjete janë sekuestruar nga policia. Ky është rezultati i operacionit të koduar me emrin “Gambling 2”, të dhënat e të cilit janë publikuar dje nga Policia e Shtetit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se prej disa ditësh kanë marrë një aksion në shkallë vendi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të kontrolluar aktivitetin e kazinove dhe qendrave të lojërave të fatit në të gjithë vendin. Operacioni është shtrirë në të gjithë vendin. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kontrollet do të vijojnë edhe gjatë ditëve në vijim.
Rezultatet
Operacioni i koduar “Gambling 2” u zhvillua paralelisht në 12 qarqe të vendit ku u kontrolluan 260 subjekte, të cilat zhvillonin aktivitetin e lojërave të fatit dhe 65 prej tyre rezultuan të palicencuara nga organet përkatëse për ushtrimin këtij aktiviteti. Policia e Shtetit bëri të ditur se në mbështetje të këtij operacioni janë angazhuar edhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Gjithashtu në mbështetje të këtij operacioni janë angazhuar edhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Sipas burimeve zyrtare të policisë ky aksion është bërë me qëllim ndërprerjen e aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit, identifikimin dhe procedimin penalisht të personave që kryejnë këtë aktivitet, si dhe bllokimin e ambienteve dhe sekuestrimin e pajisjeve dhe makinerive të lojërave të fatit. Sipas policisë, kanë nisur hetimet për 66 persona të cilët dyshohet se kryenin aktivitet të paligjshëm. Po ashtu, “Gambling 2” sekuestroi edhe 401 makineri kompjuterike për zhvillimin e lojërave të fatit. Ato janë komjuterë, makineri, televizorë, që ushtrojnë aktivitetin pa dokumentacion
Kontrollet
Aksioni është ndërmarrë nisur nga situata e krijuar mbi evidentimin e personave dhe të subjekteve që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit. Para pak kohësh është krijuar Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Po ashtu, sistemi i taksimit të këtyre aktiviteteve dhe të ardhurat që vjel buxheti i shtetit ka lënë dyshime për evazion fiskal tek këto subjekte. Ky është bërë shkas për realizimin e operacionit në shkallë vendi. Fillimisht kontrollet u bënë në qytetin e Elbasanit, ku u futën në filtër 37 subjekte, dhe 6 prej tyre kanë rezultuar me dokumentacion të rregullt, 8 janë proceduar për parregullsi, ndërsa 23 subjekte të tjera u gjetën të mbyllura. U sekuestruan 7 kompjuterë dhe 20 automate lojërash fati. Gjatë fundjavës së kaluar aksioni nisi edhe në Vlorë, Durrës dhe Gjirokastër. (Të dhënat e plota të operacionit, i gjeni në tabelën që i bashkëngjitet shkrimit)
TË DHËNAT E OPERACIONIT “GAMBLING 2”
Nr Qarku Kontrolle Bllokime Procedime Mjete të sekuestruara
1. Tiranë 11 3 4 11
2. Durrës 16 2 2 5
3. Shkodër 13 7 7 85 (2 rulota)
4. Elbasan 57 20 20 68
5. Vlorë 13 2 2 16
6. Fier 53 14 14 83
7. Berat 45 7 7 48
8. Dibër 3 2 2 14
9. Lezhë 6 4 4 42
10. Korçë 28 4 4 31
11. Gjirokastër 9 - - -
12. Kukës 6 - - -
Gjithsej 260 65 66 401

Kthehen në vendin e origjinës 6 mjete luksoze të trafikuara në Shqipëri

TIRAMË- Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me autoritetet italiane, gjermane dhe franceze ka mundur të kthejë pronarëve 6 automjetet e vjedhura jashtë shtetit. Sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme bashkëpunimi me autoritetet italiane dhe Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Tiranë, Shkodër dhe Kurbin janë kthyer respektivisht automjetet, tip “BMW 535”, tip “BMW X5” dhe automjeti tip “BMW X5”. Ndërsa në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Tiranë dhe Berat janë kthyer respektivisht automjetet tip “AUDI Q7” dhe tip “PORSCHE BOXTER”. Gjithashtu me autoritetet franceze dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë është bërë i mundur kthimi i automjetit tip “BMW-530” “Prokuroria e Përgjithshme konfirmon edhe një herë vullnetin e saj të plotë për kthimin e të gjitha automjeteve të vjedhura të gjendura në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe i bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të evitojnë blerjen e makinave në tregje informale dhe nga persona të palicencuar për kryerjen e një aktiviteti të tillë” thuhej në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme lëshuar ditën e sotme.

Kapen në flagrancë 3 trafikantët e klandestinëve drejt Greqisë

GJIROKASTËR – Goditet një grup kriminal, i cili ushtronte aktivitetin e tij kriminal në fushën e trafikut të klandestinëve, duke çuar në pranga tre persona. Koka e trafikut ishte në kryeqytet, e cila organizonte personat që dëshironin të hynin ilegalisht në territorin e vendit fqinjë, dhe më pas i transportonin drejt Greqisë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje Agim Korra, 54 vjeç, Ilirjan Lamçe, 52 vjeç dhe Rajmond Spiro, 51 vjeç, që të tre lindur dhe banues në Tiranë. Pas informacioneve që kishin marrë në rrugë operative, specialistëve Hetimit në Drejtorinë e Kufirit dhe Emigracionit në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, ushtruan kontroll në automjetin tip Benz, me targë TR 67 01 R, që drejtohen nga 54-vjeçari Korra. Udhëtarët po tentonin të hynin në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek, poshtë Pikës së Kalimit Kufitar në Kakavijë. Grupi policor ka mbajtur nën vëzhgim gjithë kohën mjetin në të cilin ndodheshin tre shtetas të tjerë, një mashkull dhe dy femra. Më pas u bë kontrolli ku rezultoi se këta ishin anëtarë të një familje; burri me bashkëshorten dhe vajza e tyre, të cilat kishin ardhur me këtë automjet në Kakavijë për të nisur vajzën e tyre, A.S., 19 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë, për në Greqi tek i fejuari, por që ishte e pa pajisur me dokumente. Trafikantët kishin planifikuar për ta bërë një gjë të tillë në mënyrë të paligjshme. Kjo do të bëhej, duke iu paguar drejtuesve të trafikut një shumë prej 2000 eurosh. Vetëm një orë pasi kanë mbërritur në Kakavijë, policia bëri të mundur arrestimi e shtetasit Ilirjan Lamçe. Ndërsa për shtetasin Rajmond Spiro, menjëherë janë njoftuar shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilët e prangosën pak minuta më vonë. Korra, Lamçe dhe Spiro akuzohen për trafik klandestinësh. Pak ditë më parë një tjetër operacion u realizua në Tiranë, ku u vunë në pranga disa persona, anëtarë të një rrjeti trafiku nga kryeqyteti drejt Greqisë.

TË ARRESTUARIT
Agim Korra, 54 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, drejtues i automjetit tip Benz me traga TR 61 07 R
Ilirjan Lamçe, 52 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
Rajmond Spiro, 51 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

Dhunohen simbolet fetare, tritol kryqit katolik

MALËSI E MADHE- Kryqi i një varri 120-vjeçar në varrezat e myslimanëve të fshatit Kokë-Pataj në Malësinë e Madhe është bërë objekt i dhunimit të simboleve fetare në këtë zonë. Burime zyrtare nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se pranë varrit është vendosur një sasi e konsiderueshme lëndë plasëse katër ditë më parë, e cila ka sjellë dëmtimin e kryqit. Por vetëm ditën e diel është bërë denoncimi në polici nga familjarët. Në këtë varr ndodhen eshtrat e njërit prej banorëve të zonës Kokë Palushaj, ndërsa sipas komunitetit të zonës ky varr u përket ushtarëve austriakë. Banorët theksojnë se marrëdhëniet e banorëve në këtë fshat janë shumë të mira pavarësisht përkatësisë fetare, ndërsa shpreh se ky veprim mund të jetë bërë qëllimisht nga individë të caktuar për të nxitur provokimet ndërfetare. Edhe 3 vite më parë, ky varr është bërë pre e vendosjes së një sasie tritoli ku u dëmtua kryqi i vendosur mbi të. Një tjetër rast i ngjashëm është shënuar dy vite më parë në komunën Bushat ku u dëmtua kryqi i vendosur në majë të kodrës së Zefianës. Persona të cilët mbeten ende të paidentifikuar sharruan dy herë simbolin fetar në komunën e Bushatit

Konflikt midis të rinjve, rrezikon jetën duke u plagosur me thikë

KORÇË – Ngjarja ka ndodhur ditën e diel ku dy të rinj janë grindur midis tyre ku njëri prej tyre ka përfunduar i plagosur me thikë shtetasi Novertin Terpollari. Krimi ndodhi në qytetin e Korçës në afërsi të tregut valutor, kur mes 24-vjeçarit Novertin Terpollari dhe 20-vjeçarit Bledar Koçanji ka nisur një sherr për lojën në kompjuter. Pas fjalëve fyese të ndërsjella sherri ka vazhduar me konfrontime fizike mes dy të rinjve. Por nuk ka mbaruar me kaq, pasi 20-vjeçari ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur dy herë Terpollarin duke e lënë të plagosur rëndë. Ai u transportua menjëherë në spital nga ku mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa policia e sinjalizuar për ngjarjen u vu në lëvizje për identifikimin dhe kapjen e autorit. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, policia mundi të arrestonte autorin e dyshuar të plagosjes.

8 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›