E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha emëron Ylli Zylën drejtor të SHIU-t

Shefi i qeverisë ka pranuar dje propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, për të emëruar drejtorin e ri të Shërbimit Informativ Ushtarak, major Ylli Zyla. Kryeministri Berisha mbështetur në pikën 3, të nenit 102, të Kushtetutës dhe në pikën 1, të nenit 7, të ligjit nr.9074, "Për Shërbimin Informativ Ushtarak", me propozim të ministrit të Mbrojtjes, urdhëroi dje, emërimin e Major Ylli Zylës drejtor të Shërbimit Informativ Ushtarak.

Ky institucion që prej një muaji ishte pa drejtor për shkak të shkarkimit nga Kryeministri Berisha të ish-drejtorit të SHIU-t, pas asaj që ndodhi në Gërdec. Një ditë pasi kreu i shtetit shkarkoi dy gjeneralë të Ministrisë së Mbrojtjes, Kryeministri Berisha, me propozim të ministrit Oketa ka shkarkuar kreun e SHIU-t, nënkolonel Hysni Gjergjin, për të vendosur në vend të tij një major. Megjithëse nuk u dhanë detaje të zgjeruara mbi shkarkimin e ish-shefit të SHIU-t, shkak i largimit të tij nga detyra ishte ngjarja e Gërdecit. Mosinformimi në kohë të strukturave përkatëse lidhur me aktivitetin që zhvillohej në punishten e demontimit të municioneve në Gërdec, duket se ka qenë motivi kryesor që solli ndryshime në nivelet më të larta të Shërbimit Informativ Ushtarak. Në të vërtetë, akuzat kanë pasur një trajektore më të gjerë, vetëm pak kohë pas tragjedisë, ku janë implikuar edhe strukturat e Shërbimit Sekret të Ushtrisë dhe SHISH-it. Një tjetër argument që vlen të theksohet është fakti se pas ngjarjes së 15 marsit, ushtria ka qenë gjithmonë nën shënjestrën e ekzekutivit. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka akuzuar drejtpërdrejt ushtrinë, duke bërë përgjegjës ushtarakët për ngjarjen famëkeqe të Gërdecit. Gjithsesi, duke filluar nga sot, SHIU do të ketë drejtorin e saj të ri, i cili ndryshe nga paraardhësi i tij që kishte gradën nënkolonel ka gradën major.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›