E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama, 1005 faqe në Kuvend për Mediun

Një tjetër dosje, prej 1005 faqesh, me dokumente që hedhin dritë mbi mënyrën e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec i është dërguar Parlamentit të Shqipërisë. Kryeprokurorja Ina Rama i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeparlamentares Jozefina Topalli, sipas të cilës, dosja e parë prej 700 faqesh, tashmë në duart e ligjvënëse të këshillit të mandateve, nuk kishte elemente të domosdoshme për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. "Në përgjigje të kërkesës të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pranë Kuvendit të Shqipërisë për dokumente shtesë me synimin për të mos u bërë pengesë për një vendimmarrje sa më të drejtë të Kuvendit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm i dërgoi këtij këshilli katër volume me dokumente në lidhje me lejimin për procedimin penal ndaj deputetit Fatmir Mediu, bashkë me shkresën përcjellëse me sqarimet përkatëse", thuhet në dosjen e organit të akuzës. Sipas saj, në këto volume përfshihen dokumentet që zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ia kishte vënë në dispozicion më parë këtij këshilli, dhe të cilat u ridërguan sipas kërkesës së tij, duke shtuar edhe pjesën tjetër të dokumenteve që kërkoheshin, në të cilat përfshihen edhe disa dokumente të sekuestruara në vazhdim të hetimeve dhe pas paraqitjes së kërkesës së prokurorisë në Kuvend. "Prokuroria po vazhdon hetimet dhe po ushtron ndjekje penale ndaj disa personave, civilë dhe ushtarakë, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 15 mars në Gërdec dhe siguron se është e vendosur, që në pavarësi të plotë në vendimmarrjen e saj, të vërë përpara përgjegjësisë çdo person të përfshirë në këtë proces, që ka kryer vepër penale", thuhet në njoftimin e organit të akuzës. Kjo e fundit, duke dashur të bindë parlamentarët për t‘i hequr imunitetin e deputetit Mediut ka dërguar dhjetëra urdhra të ish-ministrit, të cilat i adresohen Shtabit të Përgjithshëm, i cili shpeshherë urdhërohej në mënyrë të padrejtë. Në dosje është bërë e qartë se heqja e imunitetit do të ndihmojë prokurorinë të hetojë ish-ministrin e Mbrojtjes për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 persona, 300 u plagosën dhe u shkatërruan mijëra shtëpi e biznese. Sipas kryeprokurores Ina Rama ekzistojnë disa urdhra të ish-ministrit në kundërshtim me aktet nënligjore. Këto urdhra, sipas akuzës, kanë të bëjnë me mënjanimin e Shtabit të Përgjithshëm në procesin e caktimit të vendit të ngritjes së fabrikës, si dhe në urdhra që i jepnin të drejtën "SAC- AlbaDemil" të demontonte fishekë të kalibrave që nuk parashikoheshin në vendimet për t‘ia ngarkuar këtë proces "SAC-AlbaDemil". Në duart e ligjvënësve janë sqaruar të gjitha urdhrat e ish-ministrit. Po ashtu, hetuesit e Ina Ramës kanë detajuar edhe provën më të fortë të organit të akuzës, urdhri 550 i Mediut. Prokuroria thotë se në vijim të aktivitetit të tij në kundërshtim me ligjin dhe në interes të përfitimeve të padrejta të subjekteve private që do të bënin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, ka miratuar urdhrin nr. 550 "Për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›