E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dekreton transferimin e 10 prokurorëve

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar dje pasdite transferimin e 10 prokurorëve. I pari në listë është prokurori Ardian Braho, i cili ka lënë Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe është zhvendosur në Prokurorinë e Tiranës. Braho, i cili më parë ka qenë një nga prokurorët e suksesshëm të zyrës së sekuestrimit të pasurive te Krimet e Rënda, tashmë do të bëjë pjesë në Task-Forcën kundër krimit ekonomiko-financiar. Disa ditë më parë emri i tij është përmendur nga drejtuesi i njësisë së përbashkët hetimore në analizë, Altin Dumani, gjatë leximit të arritjeve të kësaj strukture. Prokurori Ardian Braho gjithashtu ka hetuar disa prej bandave më të rrezikshme në Shqipëri. Një tjetër prokuror nga Prokuroria për Krime të Rënda është transferuar në Prokurorinë e Tiranës. Genci Qano, i cili është komanduar si zv/prokuror në akuzën kryeqytetase disa muaj më parë është transferuar përfundimisht atje. Në CV-në e Qanos janë hetimi i disa prej dosjeve të krimit të organizuar siç është "Hakmarrja për Drejtësi". Në Prokurorinë e Tiranës transferohet prokurori Juljan Xhengo, i cili transferohet nga Fieri dhe Arben Nelaj nga Prokuroria e Durrësit. Listës i bashkëngjitet edhe Lazer Çardaku, i cili transferohet nga Shkodra në Mat. Presidenti Topi ka dekretuar edhe lëvizjen e drejtuesit të Prokurorisë së Gjirokastrës, Alfred Agolli. Ai është transferuar në Sarandë. Ndërsa Avni Kraja, nga Kruja, transferohet në Shkodër. Nga Shkodra ka ikur prokurori Sulejman Tola, i cili transferohet në Krujë. I nënti në listë është lëvizja e Ylli Bashës nga Lushnja në Kavajë, ndërsa i fundit është transferimi i Arben Dylës nga Mati në Lushnjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›