TIA: Fushata, partitë të publikojnë fondet
BLEDAR HOTI
Transparency International Albania i kërkon partive politike të bëjnë publike fondet që shpenzojnë për fushatë si dhe të shpalosin programet politike. Ndërsa një nga problemet e tjera, sipas kësaj shoqate, është dhe mosdorëheqja e kandidatëve që mbajnë poste të larta shtetërore. Këto janë disa nga shqetësimet e TIA-s në lidhje me moskryerjen e transparencës nga ana e partive politike, kur jemi 18 ditë larg zhvillimit të zgjedhjeve. “Transparency International ka ndjekur nga afër situatën e fundit zgjedhore në Shqipëri dhe vëren se niveli i transparencës së subjekteve zgjedhore përballë elektoratit është tepër i ulët. TIA iu drejtohet partive politike me disa kërkesa konkrete për rritjen e transparencës financiare, por edhe të transparencës me listat e kandidatëve apo me programet elektorale”, tha Endri Shabani. Sipas përfaqësuesit të TIA-s, Shabani, “shoqata vëren se publiku është njohur në mënyrë krejt sipërfaqësore me programet elektorale, ku jo rrallë është vënë në dyshim dhe ekzistenca e tyre. Ne vlerësojmë se është shumë e rëndësishme që publiku të njihet me programin e partisë për të cilën do të votojë, prandaj iu kërkojmë partive politike që të publikojnë programin elektoral me të cilin ato synojnë të qeverisin vendin”. Ndërsa për financimet, Shabani shtoi se, “është shqetësues niveli i ulët i transparencës financiare të kësaj fushate zgjedhore. Për të rritur nivelin e transparencës kërkojmë prej partive politike: publikimin e faturës financiare të çdo aktiviteti elektoral (mitingje dhe aktivitete të tjera masive), menjëherë pas përfundimit të tij; në respektim të Kodit Zgjedhor, të publikojnë regjistrin e posaçëm ku do të regjistrohen personat që dhurojnë më shumë se 100 mijë lekë, si dhe të bëjnë publik numrin e llogarisë bankare ku do të depozitohen këto financime”.
Mosdorëheqja e kandidatëve
Duke rikujtuar nenin 69 të Kushtetutës, i cili sqaron papajtueshmërinë e kandidatit për deputet dhe shprehet për pavlefshmërinë e mandatit të fituar në kundërshtim me këtë nen, TIA gjen vendin t’iu bëjë thirrje partive politike që t’iu kërkojnë kandidatëve të tyre të japin dorëheqjen nga postet e papajtueshme me mandatin e deputetit, duke mos përdorur pushtetin për të ndikuar në fushatën zgjedhore. TI-ja Albania ka konstatuar se hartimi i listave të kandidatëve është kryer pa konsultime me publikun, pa pjesëmarrjen e strukturave vendimmarrëse të partive, pa debat brenda partive dhe/apo me elektoratin. Sipas këtij organizmi, dorëzimi i tyre në prag apo përtej afateve ligjore ka demonstruar hapur dobësinë e këtij sistemi të ri zgjedhor si dhe dobësimin e demokracisë pjesëmarrëse brenda partive më të mëdha në vend. “TIA iu kërkon partive politike që, në kuadër të transparencës përballë publikut, të publikojnë CV e kandidatëve me të cilët garojnë në këto zgjedhje. TIA vlerëson se transparenca me të kaluarën e kandidatëve, përveçse iu jep mundësi qytetarëve të zgjedhin në Kuvendin e ardhshëm përfaqësues me kontribute sociale dhe akademike, krijon edhe mundësinë e verifikimit nëse ka në lista kandidatë që garojnë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit”, tha Shabani.