“Berisha, fajtor i përmbytjes”
Deputeti i PS-së, Ilir Beqja fajësoi qeverinë për përmbytjen e shkaktuar në qarkun e Shkodrës. “Në dhjetor 2009 nuk ranë shira më shumë se vitet e tjera, por dhjetori 2009 e gjeti buxhetin e shtetit të rrënuar nga krimi elektoral i qershorit 2009 dhe nga babëzia e familjes politike e biologjike të Sali Berishës. Kjo babëzi e bashkuar me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë shembullore të Sali Berishës është përgjegjësja e vetme e fatkeqësisë së përmbytjeve të Veriperëndimit të Shqipërisë. Janë më shumë se 11,400 hektarë të përmbytura. Janë më shumë se 2650 banesa të përmbytura, janë më shumë se 2650 vatra familjare që prej dy javësh po përballen me Gërdecin e ujit”, tha Beqja. Sipas tij, “Tashmë është evidente për të gjithë shqiptarët se përmbytja e janarit 2010 është fund e krye përgjegjësi e qeverisë së Sali Berishës”. Beqja theksoi se “18 janari, është e hëna e tretë e janarit dhe sipas përcaktimeve të nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë fillon punimet sesioni dytë i legjislaturës së XVIII. Nesër unë do të jem në Shkodër”.