Ruçi: Përmbytjet nuk erdhën nga moti e Zoti, por nga qeveria e pazot
Mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare e hapi drejtuesi e saj, Gramoz Ruçi i cili bëri fajtore qeverinë për përmbytjet në zonat veriperëndimore. Ruçi shprehu solidaritetin për banorët e prekur nga përmbytja dhe mënyrën sesi ata përballuan situatën dhe kërkoi nga disa deputetë përkatës të deklarojnë se kush janë shkaqet e katastrofës dhe dëmet e vërteta që u shkaktuan. Sipas Rucit, ishte qeveria e pazot ajo që solli dëmin e madh për shkodranët. “Paraprakisht më lejoni që në emrin tuaj të shpreh solidaritetin në emër të partisë, për popullatën e rrethit Shkodër dhe të Lezhës, dhe njëherësh të shpreh solidaritetin për mënyrën se si e përballuan dhe vazhdojnë ta përballojnë këtë katastrofë të madhe, e shkaktuar jo nga moti apo Zoti, por nga emri qeveri e Sali Berishës, pasi regjimin e vizave nuk e shkroi moti dhe Zoti, pasi argjinaturat e lumenjve nuk i la Zoti pa ndërtuar, por i lanë të pa zotët, pasi kanalet e kullimit nuk i la Zoti pa pastruar, por të pa zotët, pasi Bunën pa filluar nuk e la Zoti, por të pazotët, pasi lumenjtë të papastruar nuk i la Zoti, por i lanë të pazotët, Sali Berisha me të tijtë”, tha Ruçi duke ftuar deputetet ta diskutojnë në këtë mbledhje këtë fakt. Kreu i Asamblesë falënderoi dhe deputetët socialistë të qarkut Lezhë dhe Shkodër që u gjendën pranë banorëve të prekur nga përmbytjet.