E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajtimi i tokës pas përmbytjeve

Prof. As. Dr. Justina BORIÇI Tani që fushat, arat dhe livadhet e Nënshkodrës të përmbytura prej më shumë se dy javësh po lirohen, bujqësia dhe institucionet e saj ndodhen përpara një sprove të vështirë: rehabilitimin e më shumë se 2000 hektarëve toka. Përmbytjet kanë dëmtuar rëndë tokat. Janë rrafshuar e shpërbërë kanale, duke prishur thuajse tërësisht sistemin e kanalizimeve për kullimin apo ujitjen, pa folur për shkatërrimin e të mbjellave.  Prandaj sot më shumë se kurrë kërkohet mobilizim, menaxhim i teknologjisë së tokës, sistemimit, kullimit dhe ujitjes; sot ndihet domosdoshmëria e institucioneve të specializuara për ujin dhe tokën, jo vetëm për të kapërcyer pasojat e përmbytjeve, por edhe për progresin e bujqësisë shqiptare. Kërkohet që çdo hap i hedhur në këtë punë ripërtëritëse e jetëdhënëse për tokën bujqësore të bazohet në arritjet teknike e shkencore, në përvojën e krijuar ndër vite dhe atë bashkëkohore. Të kthejmë në gjendjen optimale sistemimin e tokës, kanalet kulluese e ujitëse.Teknika e përmirësimit të regjimit ujor të tokës përbën një nga degët më të rëndësishme e të vështira të shkencave bujqësore, sepse ajo merret me një objekt tepër të ndërlikuar, sa teknik aq edhe ekonomik; sa social, aq edhe politik, pasi kemi të bëjmë me zhvillimin e prodhimit të përgjithshëm shoqëror, me sigurimin e fronteve të punës dhe zhvillimin e zonës rurale në përgjithësi.    Teknikisht, sistemimi i tokave te zonave fushore të vendit tonë ka qenë zgjidhur, duke i ndarë tokat bujqësore në ngastra katërkëndëshe, të rregullta, të cilat kufizoheshin nga ndërthurja e rrjetit të kanaleve të hapura kulluese dhe ujitëse. Përgjithësisht, gjatësia ka qenë rreth 600 metra dhe gjerësia afërsisht 200 metra. Këto ngastra ndaheshin në lehe, me gjerësi 23 m, 27 dhe 32 metra, me sistemimin rrafsh apo kurriz, sipas përbërjes së tokave, sasisë së reshjeve dhe intensitetit të tyre. Si masë plotësuese e kullimit ka qenë aplikuar edhe kullimi nëntokësor si drenimi i përkohshëm urith dhe ai i përhershëm  me gypa.Në sajë të punës shumëvjeçare të specialistëve të talentuar, u arritën rezultate të lavdërueshme në disa drejtime bazë të teknologjisë së tokës si në sistemim, kullim, ujitje. Tokat tona, atje ku trajtoheshin sipas kushteve teknike, konkurronin me sukses prodhimtarinë e tyre në kultura të ndryshme bujqësore. Do të ishte jo e drejtë, t’i anashkalonim apo t’i mbivlerësonim këto arritje. Meqenëse zgjidhja e problemeve të regjimit ujor të tokës ka qenë e orientuar drejt arritjes së objektivave më shumë politike, sesa efektivitetit ekonomik, dihet që nga fundi i viteve ’80, ky sektor po hynte në krizë. Hapja e tokave të reja dhe shpyllëzimet masive e pa kriter, në kodër e fushë, kanë qenë katastrofa ekologjike, që çuan në mbushjen e kanaleve dhe shkatërrimin e sistemit të bonifikimeve.Pra, ka mbi 25 vjet që nuk i kushtohet vëmendja e duhur zgjidhjes së problemeve të kullimit të tokës bujqësore. Natyrisht, që në këtë shkrim nuk do të përsëris gjëra, të cilat i kemi përmendur e kritikuar gjatë gjithë kësaj periudhe, lidhur me përparësinë në investime që duhet të ketë kullimi i tokës. Por, është domosdoshmëri të theksojmë se në bujqësinë shqiptare mbizotërojnë problemet e kullimit dhe të erozionit. Prandaj tani që jemi të detyruar të punojmë për sistemimin e rrjetit kullues dhe ujitës të dëmtuar nga përmbytjet, duhet të sjellim në kujtesë edhe përvojat për të zgjidhur problemet e teknologjisë së tokës.Kërkesa themelore e kullimit të tokave është gatishmëria e veprave kulluese. Kjo shtrohet si domosdoshmëri teknike dhe teknologjike.Reshjet intensive të rendit 70-80 mm, në kushtet e mungesës së kullimit bëjnë që uji të qëndrojë në sipërfaqe deri në 56 orë, që normalisht, për të mos shkaktuar dëme, duhet të largohet brenda 48 orëve, duke përjashtuar rastin, ku në disa zona uji rri në sipërfaqe deri afër periudhës së verës (Lezhë). Edhe kur ujërat nuk ndodhen në sipërfaqe, gjenden në shtresën rrënjëmbajtëse duke e ngopur me ujë këtë shtresë. Kjo tregon që nga mungesa e kullimit uji gravitacional, që mbetet në tokë, shkakton dëmtimin e prodhimit të kulturave të vjeshtës dhe nganjëherë edhe eliminimin e tij të plotë.Si rezultat i mosfunksionimit të rrjetit kullues, për mungesë të pastrimit në të gjithë sistemin, në zonën fushore të vendit dhe në mënyrë të veçantë në zonat e bonifikuara, po rriten shqetësimet për proceset e rikënetëzimit(Terbuf, Kakarriq, Roskovec), rikripëzimit, ndotjes dhe degradimit në sipërfaqe të konsiderueshme. Vetëm nga mosfunksionimi i rrjetit të kanaleve, në zona të caktuara,  nuk kullojnë sipërfaqe të konsiderueshme toke. Gatishmëria e veprave kulluese(hidrovorë, vepra arti etj.) nuk është e plotë dhe ka nevoje për shtim të numrit të tyre.Për zona të caktuara, një rëndësi të veçantë, merr edhe funksionimi i kanaleve të ujërave të larta siç është zona e Lezhës, sepse punimet për mirëmbajtjen e tyre janë të pjesshme.Ndryshimet sociale sollën edhe ndryshime lidhur me lëvizjen e popullsisë së zonave malore dhe vendosja e tyre pa kriter në fushë ka ndikuar jo pak në mosfunksionimin e rrjetit kullues. Janë kryer ndërtime, të cilat kanë dëmtuar vepra arti dhe shumë objekte të tjera, që lidhen me procesin e kullimit të tokës. Ka raste ku banorët kanë mbyllur grykëderdhjet e rrjetit për të ndërtuar objekte private. Në këto raste, lypet që pushteti vendor në bashkëpunim me atë qendror, të zgjidhin këtë problem, që natyrisht është delikat dhe jo i lehtë.Një problem tjetër madhor, që po shkatërron tokën është edhe erozioni masiv, i cili kohët e fundit është bërë tepër shqetësues jo vetëm për banorët e zonave të eroduara, por edhe për dëmtimin në masë të konsiderueshme të tokës bujqësore të degraduar dhe të humbur në det.Mbrojtja e tokës nga gërryerja përbën, për vendin tonë, një domosdoshmëri, me shtrirje të gjerë e me karakter kompleks. Format e shfaqjes së erozionit janë të ndryshme dhe në vartësi të faktorëve që i shkaktojnë. Por,  më shumë i përhapur, fenomeni është në të gjithë lumenjtë dhe përrenjtë e vendit tonë, ku humbjet e tokës janë disa dhjetëra hektarë në vit. Ky fenomen, në të gjitha rastet, është i shoqëruar jo vetëm me humbjen e tokës, por dhe me dëmtimet e infrastrukturës së ndërtuar në shtratin e lumit dhe argjinaturat përreth.Problemi i mbrojtjes së tokës nga erozioni në përgjithësi dhe ai i mbrojtjes nga gërryerja e brigjeve të lumenjve në veçanti, janë nga më të rëndësishmit, që shtrohen sot për zgjidhje. Dëmtimet në brigjet e lumenjve janë me pasoja shumë të mëdha në ekonominë kombëtare. Këto dëme disa herë nuk bien menjëherë në sy, por shpesh shkaktojnë ndërlikime serioze me pasoja të rënda jo vetëm në tokë, por dhe në jetën social-ekonomike të komuniteteve, që ndodhen në afërsi të lumenjve.Pikërisht, për arsyet e mësipërme, ky problem ka tërhequr vëmendjen e qeverisë, e cila shprehet qartë në programin e saj në lidhje me problemet e ujitjes, kullimit, mbrojtjes nga përmbytjet dhe nga erozioni.Nga monitorimet dhe vlerësimet e kryera rezulton se nga erozioni ka ndodhur dëmtimi i argjinaturave dhe objekteve të tjera mbrojtëse, shkatërrimi dhe dalja jashtë funksionit e pritave malore. Përveç faktorëve objektivë kjo dukuri është shkaktuar edhe nga prerjet dhe dëmtimet e vegjetacionit brenda dhe në afërsi të shtretërve të lumenjve, shfrytëzimit pa kriter të materialeve inerte, ndryshimit të destinacioneve të tokës në shtatit të lumenjve dhe në afërsi të tyre etj. Erozioni, në formë shkarje dhe shembje janë format më ekstreme të erozionit ujor. Në të gjithë territorin e Shqipërisë, tokat e rrezikuara nga këto forma janë rreth 115 000 ha. Vlerësimet tregojnë se madhësia e erozionit sipërfaqësor  është në nivele  të humbjes së tokës në disa dhjetëra ton në vit. Gërryerjet e tokës në brigjet e të gjithë lumenjve të vendit tonë janë me pasoja të pariparueshme për tokën bujqësore dhe infrastrukturën e ndërtuar mbi të. Dukuria e këtij fenomeni është e pranishme në të gjithë segmentet lumore të vendit tonë. Monitorimet e kryera në disa segmente lumore me gjatësi 300 deri 500ml, tregojnë për humbje të tokës nga 23 000 deri 26 000 m3/vit. Veprat mbrojtëse (argjinatura, panele tërthore, prita), kanë pësuar dëmtime të mëdha dhe fenomeni është i pranishëm në të gjithë shtretërit e lumenjve. Investimet e kryera në vitin 2006, në shtratin e lumit Gjadër në Lezhë, kanë bërë që nga thellimi i tij, lumi të funksionojë normalisht duke mos shkaktuar asnjë problem, duke bërë që Lezha të mos përmbytet më. Investime të kësaj natyre duhet të realizohen në të gjitha rastet e përmendura më sipër.Nisur nga mendimi i shumë specialistëve dhe në mbështetje edhe të përpjekjeve që janë bërë vitet e fundit për të investuar mbi tokën bujqësore, mendoj se ka ardhur koha që t’i kundërvihemi kësaj gjendjeje dhe të vihet në vend autoriteti i institucioneve shtetërore nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në përcaktimin e strategjive dhe investimeve, që duhet të kryhen për tokën.Posaçërisht, duhet vlerësuar iniciativa e kryeministrit Berisha për thellimin e shtratit të Lumit Bunë. Me një projekt të tillë kapërcehen efektet rajonale dhe shndërrohen në kombëtare, ndonjëherë me ndikime më të gjëra. Në rastin konkret Buna ndikon edhe në ekonominë e fqinjit verior, Mali i Zi. Realizimi i projektit të Bunës imunizon përfundimisht tokat e Velipojës, Bushatit dhe lagjet periferike jugore të Shkodrës. Ekonomia kombëtare përfiton një lum të lundrueshëm, rrjedhimisht metropoli i veriut përfiton një port, turizmit i shtohen asete të mrekullueshme.Institucionet kompetente duhet të udhëheqin zbatimin e projekteve madhore me karakter kombëtar dhe ekonomik. Me ndryshimet që kanë ndodhur ka ardhur koha që të shihet edhe forma e sistemimit të tokës fushore në perspektivë. Kjo do të thotë që në kushtet e një fragmentimi të tejskajshëm të tokës lypet të hartohet skema e funksionimit të gjithë zonës fushore me kullim dhe ujitje bashkëkohore si dhe mënyra e administrimit të burimeve ujore. Por, kjo kërkon që institucionet të përbëhen nga një staf i specializuar dhe i talentuar, sikurse ekziston në të gjithë botën e përparuar. Gjithashtu zgjidhja e problemeve madhore, siç janë kullimi dhe sistemimi i tokës bujqësore me metoda të përparuara, kërkon të njihet e kaluara për të ndërtuar të ardhmen. Kështu, arkivat me studime e projekte, të realizuar nga specialistë kompetentë, duhet të jenë burim për vazhdimësinë e punës projektuese dhe zbatuese për perspektivën, megjithëse një pjesë e tyre janë tërhequr në mënyrë të paligjshme, duke krijuar edhe boshllëqe.është shumë e rëndësishme, që specialistët shqiptarë, të cilët studiojnë dhe specializohen në vendet e huaja, duhet që me intuitën dhe aftësitë e tyre profesionale të  zbatojnë atë çka është e përshtatshme me kushtet e vendit dhe të mentalitetit shqiptar. Punën e tyre duhet ta orientojnë në shërbim të progresit të bujqësisë që synimi i tyre të jetë pragmatik dhe investimet së bashku me punën e fermerëve, ta fusin bujqësinë shqiptare në binarët evropianë.Hartimi i një strategjie afatgjatë për këtë sektor, ndër të tjera, lypet të përcaktojë edhe ndarjen e fondeve për investime sipas rëndësisë së problemit dhe emergjencës së tij. Këto investime duhet të realizohen duke iu larguar skemave të vjetra dhe pa leverdi. Kjo për faktin që të mos ketë më paqartësi me tokën dhe që fermerët ta kthejnë ekonominë e tyre në intensive, duke e punuar të gjithë tokën e tyre dhe duke mos e braktisur atë, duke  ulur në këtë mënyrë emigracionin në zonën rurale. Nisur nga gjendja konkrete e rrjetit kullues, mendoj që investimet  për kullimin duhet të përdoren në masën 50% për pastrimin e këtij rrjeti, ku 20% për rrjetin e brendshëm (parcelë-bllok), sepse një pjesë e kontributit duhet të jetë i fermerëve dhe 30% për rrjetin kryesor. Nga studimet e kryera rezulton se shtimi i hidrovorëve dhe veprave mbrojtëse është domosdoshmëri dhe se 30% e fondeve duhet të shkojnë për këtë qëllim. Për zona të veçanta, si ajo e Lezhës, rëndësi të madhe ka edhe funksionimi i ujërave të larta dhe prandaj rreth 20% e fondeve duhet të përdoren për mirëmbajtjen e tyre.Këto fonde duhet të përdoren kryesisht në zonat me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje, ku bëjnë pjesë: fusha e Trushit në Shkodër, fusha e Zadrimës, Kakariqit dhe Torrovicës në Lezhë, fusha e Tërbufit në Lushnje, fusha e Roskovecit në Fier, fusha e Maliqit në Korçë, fusha e Vrinës në Sarandë. Hartimi dhe zbatimi i projekteve për kullimin në tërësi dhe përmbytjet në veçanti  dhe mbrojtjen e tokës nga erozioni janë domosdoshmëri për futjen e këtij sektori në rrugën bashkëkohore të zhvillimit të bujqësisë.Nga ana tjetër, ka ardhur koha që fermerët e veçuar të intensifikojnë procesin e bashkimit të tokave të tyre, sepse vetëm në format e organizuara të ekonomive të mëdha është e mundur që prodhimi bujqësor shqiptar të konkurrojë në tregjet ndërkombëtare.Mënyrat e reja të organizimit të fermave, format e ndryshme të kreditit në bujqësi dhe fuqizimi i organizmave, që administrojnë fondet, janë premtuese edhe për përmirësimin e kullimit  dhe të mbrojtjes së tokës  bujqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›