Replikat në Asamblenë e PS, Blushi: Në mars hyj në Kuvend, Rama: Ju sfidoj intelektualisht
Aristir LumeziDeputeti socialist Ben Blushi tha dje se do të hyjë në Parlament javën e parë të marsit dhe nëse grupi i PS-së do vazhdojë bojkotin. “Pavarësisht nga vendimi që mund të marrë grupi parlamentar, të cilin nuk kam arsye ta paragjykoj, unë do të jem në Parlament në javën e parë të marsit. Do të jem në Parlament në javën e parë të marsit jo se më bën përshtypje letra e Jozefina Topallit, jo se kam ndonjë emergjencë, jo se kam frikë se mandati im do të digjet, do të jem në Parlament si shprehje e vullnetit tim dhe lirisë sime personale, se kjo sakrificë bojkoti ishte e pafrytshme. Për sa më takon unë jam një njeri i lirë, jam njeri i lirë, durimi im ka një fund”, u shpreh Blushi në një prononcim për medias në përfundim të mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare. Sipas tij, bojkoti nuk ishte një sakrificë që PS kërkoi, ishte një vendim personal i kryetarit të PS, i cili pati një emergjencë, siç e dimë në shtator-tetor, për t’u rizgjedhur. “Kjo detyroi që të merrte një rrugë radikale, si kjo që ne jemi futur sot, por e cila rezultoi e pafrytshme. Jam i bindur akoma më shumë se rruga e PS ishte dhe mbetet e pasuksesshme. Sot PS është më e dobët se në shtator, është më e dobët se në tetor, është më e dobët se në nëntor sepse nuk ballafaqohet dhe është e pamundur të mundesh një kundërshtar të cilin nuk e ke përballë. Ne nuk mund të mundim një kundërshtar në rast se nuk shkojmë në Parlament”, u shpreh deputeti socialist. Deputeti socialist duke bërë një bilanc të periudhës pas zgjedhore, tha se bojkoti nuk solli asnjë nga pritshmëritë dhe premtimet që PS i dha socialistëve dhe elektoratit të saj. “Ne sot bëjmë një bilanc edhe për shkak të bojkotit, kutitë nuk u hapën, ne nuk provokuam dot zgjedhje të parakohshme, PS nuk i dha dot Shqipërisë opozitën që Shqipëria meriton, një opozitë parlamentare, të fortë, solide, e cila mund të ndërtojë një aksion politik më të fortë në parlament se sa jashtë parlamentit”, u shpreh Blushi.MbledhjaQë në nisje të mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare, deputeti Blushi i kërkoi kryetarit të Asamblesë, Ruçi dhe gjithë anëtarëve të këtij forumi përfshirjen në rendin e ditës të rishikimit të bojkotit të deputetëve socialistë ndaj parlamentit. Kjo kërkesë u la që të diskutohej në fund të mbledhjes, ndërsa në fillim u diskutua rreth përmbytjeve në zonën e Shkodrës. Pjesa e diskutimit rreth qëndrimit të bojkotit, ashtu siç pritej, u zhvillua pa praninë e mediave. Ylli Manjani, Ben Blushi, Ilir Zela, Arben Malaj i kanë kërkuar Edi Ramës të analizojë çështjen e bojkotit por dhe të unitetit brenda partisë. Ndërsa kreu socialist Edi Rama në përgjigje të shqetësimit të tyre tha se do të mbledhë shumë shpejt një mbledhje të re të Asamblesë e cila do të diskutojë këtë problematikë. Debati me dyer të mbylluraYlli Manjani: Po bëjmë një rezolutë por harrojmë se duhet të flasim pasi të kenë folur institucionet kompetente. Këtë gjë ju s’mund ta bëni dhe i jeni sulur Prokurorisë me shpifje nga më të ndryshme, fajësoni Prokurorinë se nuk dini të bëni vetë politikë, dhe momenti që ju bën më shumë fajtor është konsensusi që PS ka dhënë në vitin 2008 për ligjin që i mbyll gojën Prokurorisë, e cila nuk mund të bëjë asgjë. Prokuroria nuk mund të bëjë asgjë sipas këtij ligji pasi sapo nis një hetim, i shkon direkt inspektimi nga ana e Ministrit të Drejtësisë dhe propozon shkarkimin e tij. Prokuroria i ka duart e lidhura nga ky konsensus.Ben Blushi: Na u përmend se po bëjmë telenovelë, por ai që akuzon për telenovelë është vetë reklamë mes dy filmave. Strategjia e deritanishme nuk na çoi aty ku donim, në hapjen e kutive apo dhe në zgjedhje të parakohshme. Atëherë është momenti të diskutojmë një strategji tjetër. Ndërkohë sa të mendoheni ju dhe sa të çliroheni nga tutela e Edi Ramës, unë po ju njoftoj që sot që në datë 7 do të hyj në Kuvend për të marrë mandatin. Kjo është e padiskutueshme. E bëj këtë edhe për të shprehur lirinë e individit.Ilir Zela: Duke dëgjuar Blushin dhe shokët e tjerë me këto qëndrime që po mbahen duket, sikur po i themi Blushit e të tjerëve ikni nga PS. Kjo është e gabuar, ne duhet të bashkohemi sepse ky qëndrim është i gabuar dhe PS këto qëndrime i ka provuar dhe në 2003 ku rezultatet dihen. Kjo është një mendësi që ka hyrë që në 2003 me Ilir Metën të cilin e përzumë dhe humbëm në 2005.Edi Rama: Unë mendoj ta shtyjmë për një mbledhje tjetër këtë diskutim, kur të doni ju, për një javë apo dy javë dhe të mos shfokusohemi nga tema e përmbytjeve. Aty të flasim për lirinë e gjithsecilit, si e ka ushtruar dhe si e ka përdorur atë. Po të doni ne mund të bëjmë një diskutim dhe unë jam i gatshëm t’ju sfidoj dhe intelektualisht. Prandaj them ta mbyllim sot dhe ...Arben Malaj: Jo zoti kryetar, s’mund ta mbyllësh në këtë mënyrë. Dua të flas edhe unë. Axhenda e PS është shumë larg të qenurit parti opozitare. Për një forcë politike kaq të madhe, për një forcë politike që ka qeverisur këtë vend, është e papranueshme që kur fillon një aksion politik, të mos ketë një exit-strategji, që nënkupton një strategji të suksesshme, jo një pazar të minutave të fundit. Përgjigjja juaj z. Rama ka qenë e mbetet konstante: “Ne nuk duhet të kemi exit-strategji, ajo është përgjegjësi e Berishës”.Rama: Jo në Kuvend, do nisim protestat BLEDAR HOTIPartia Socialiste nuk do të thyejë bojkotin parlamentar, por do ti rikthehet protestave kundër qeverisë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë u shpreh kundër pjesëmarrjes në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, duke theksuar se përmbytjet e ndodhura në veriperëndim të Shqipërisë, në Shkodër janë një arsye më shumë për të protestuar ndaj qeverisë “Berisha”. Sipas Ramës, Shkodrën nuk e përmbyti dora e Zotit, po marrëzia e robit të pushtetit e të parasë. Dhe këtë krim shtetëror duhet ta ndëshkojë me forcë, jo vetëm Shkodra, po e tërë Shqipëria. “Kreu i kësaj qeverie fajtore, në vend që ta kërkonte seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit kur i kishte fluturuar Prifti jashtë orbite dhe digat kishin mbetur pa njeri mbi kokë, apo kur i fluturoi edhe spikerja Jozefina jashtë radhe për qokat e saj të kushtueshme turistike, arrin ta përdorë edhe krimin e qeverisë së tij edhe fatkeqësinë e Shkodrës, për të bërë një diversion të shëmtuar ndaj opozitës duke i vënë emrin, “e jashtëzakonshme”, një seance që zhvillohet konform Kushtetutës çdo të hënë të tretë të janarit. Ne nuk kemi asnjë arsye të shkojmë, sepse emergjenca për të përballuar dallgën shkatërruese të krimit qeveritar ka kaluar dhe ka filluar faza kur duhet të përballohen shkatërrimet e bëra”, deklaroi Rama. Kryesocialisti theksoi se “ne mund të kontribuojmë siç na takon për këtë fazë jo duke marrë pjesë në farsën parlamentare të organizuar nga autorët e veprimtarisë kriminale që nxori Fierzën jashtë kontrollit, po duke u solidarizuar me çdo familje shkodrane për të kërkuar shlyerjen e çdo dëmi për të gjithë, pa asnjë dallim partiak”. “Duke e bërë këtë çështje pjesë të pandashme të axhendës së protestave tona. Fatkeqësia e pafalshme e Shkodrës nuk është një motiv i ri për të futur opozitën në sallën e Parlamentit të kutive të mbyllura, po një arsye më shumë për të nxjerrë nga godina e qeverisë, pushtetin e votave të vjedhura. Këtë thonë zemrat e opozitarëve të së gjithë Shqipërisë, që kërkojnë përditë e më me ngulm transparencën e kutive të 28 qershorit ose largimin e Sali Berishës. Këtë do të bëjmë edhe ne me ta dhe me këdo që nuk do zgjatjen e kësaj agonie të demokracisë e të ekonomisë në Shqipëri”, theksoi Rama. Kryesocialisti u shpreh se “mandatet as mund të digjen dhe as mund të transferohen në duart e Sali Berishës, që bashkë me Ilir Metën e me Fatos Nanon, ngjajnë të tre në këtë peshkim të lodhur poshtë listave të deputetëve, njësoj si spikerja Jozefina mbi Bunë, me një këpucë në ujë e me gjahun e dëshiruar në lumë”.Për Ina RamënKreu i PS-së i bëri thirrje kryeprokurores Ina Rama që të hetojë edhe mbi këtë situatë përmbytjeje. Për Ramën tre humbje katastrofike për shqiptarë të pafajshëm, për mijëra familje të varfëra, për një popull të tërë janë Gërdeci, Kalimashi dhe Fierza. “Tre pikëpyetje të frikshme për Prokuroren e Përgjithshme, për Gjykatën e Lartë të vendit, për vetë Presidentin e Republikës, të cilit dëshiroj t’i them sot se Gërdeci nuk mund të harrohet, Kalimashi nuk mund të anashkalohet dhe Fierza nuk mund të tolerohet”, theksoi Rama.