Malaj: Bojkoti dëmton PS në përballjen me Berishën
Deputeti socialist Arben Malaj në diskutimin e tij në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare, se PS duke qëndruar jashtë parlamentit nuk po jep kontributin e saj politik. “Për një forcë politike kaq të madhe, për një forcë politike që ka qeverisur këtë vend, është e papranueshme që kur fillon një aksion politik të mos ketë një exit-strategji, që nënkupton një strategji të suksesshme, jo një pazar të minutave të fundit. Përgjigjja juaj z. Rama ka qenë e mbetet konstante: “Ne nuk duhet të kemi exit-strategji, ajo është përgjegjësi e Berishës”, u shpreh Malaj. Sipas tij, bojkoti dhe ‘djegia’ e mandatit të deputetit që nuk ka bërë betim dhe ka munguar mbi 6 muaj në parlament ka pasoja të rënda për suksesin politik dhe efikasitetin e veprimeve politike të PS-së. ai ka kërkuar mbledhjen e strukturave dhe rishikimin e qëndrimit ndaj bojkotit. “Në këto kushte, mos mbledhja e strukturave politike, mosrishikimi i vendimit në funksion të një opozite sa më të efektshme për sfidat e vendit, zgjat periudhën e amullisë, rrit mungesën e kohezionit dhe të qartësisë për hapat konkrete të PS-së përpara datës 7 Mars 2010. Unë propozoj të mblidhen me përparësi dhe pa humbur kohë strukturat drejtuese politike të PS-së, si kryesia, Grupi Parlamentar dhe Asambleja Kombëtare për të dalë nga ky ngërç politik i vendit dhe nga ky radikalizim i mëtejshëm i jetës politike dhe i PS-së”, u shpreh Malaj.