Ligji për Amnistinë Fiskale abuzues, përjashton Dhomën e Tregtisë
Ligji për Amnistinë Fiskale është në ditët e fundit të afatit ligjor, e megjithatë duket se janë të shumta bizneset që e kanë gjetur veten jashtë privilegjit të amnistisë. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është thellësisht e shqetësuar për interpretimin që po i bëhet së fundmi ligjit në fjalë nga qeveria shqiptare, duke krijuar premisa përjashtuese për një kategori biznesesh që kanë guxuar të çojnë pretendimet tyre para gjykatës.
Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar Qeverisë dhe institucioneve të saj një zbatim korrekt dhe jo përjashtimor të ligjit ekzistues, duke mos penalizuar kategorinë e bizneseve, të cilët janë duke ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për tju drejtuar gjykatës. Dhoma Amerikane duke ndjekur me vëmendje këtë proces, ka vënë re se ligji për amnistinë fiskale dhe mënyra sesi po synohet zbatimi i tij nga organet tatimore dhe doganore, ka shkaktuar shqetësim në rrethet e biznesit. Abuziviteti në fakt nuk qëndron tek ligji që nuk shpreh në asnjë pikë të vetën se do të përjashtojë këtë kategori biznesesh, por tek mënyra se si organet tatimore dhe doganore kërkojnë të interpretojnë ligjin duke shkelur kështu parimin e rëndësishëm të zbatimit të barabartë të ligjit për të gjithë. Ka qenë ky motivi, që Dhoma Amerikane nëpërmjet një letre të hapur i ka kërkuar instancave më të larta qeveritare, të ndikojnë me autoritetin e tyre mbi punonjësit e doganave dhe tatimeve në mënyrë që të mos zbatojnë ligjin me kritere përjashtimore mbi biznesin. Dhoma Amerikane është një organizatë e krijuar për ti shërbyer interesave të biznesit dhe, si e tillë, do të ndjekë të gjitha format ligjore për të mbrojtur këto interesa dhe krijimin e një klime optimale të të bërit biznes në vend.