E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha falënderon opozitën: ”Tani kemi reforma të tjera”



Kryeministri Sali Berisha falënderoi ditën e djeshme deputetët e opozitës për kontributin e tyre gjatë këtyre viteve për realizimin e reformave. Duke folur përpara deputetëve të maxhorancës në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Berisha u shpreh se realizimi i reformave dha frytet e veta pasi vendi mori ftesën për në NATO. Nga ana tjetër, Berisha ka kërkuar nga opozitarët që të kontribuojnë në realizimin e reformave të mbetura. “Shpresoj që edhe opozita është e vendosur të kontribuojë që të ecim në reformën elektorale, në reformën në Drejtësi, në reformën ekonomiko-fiskale, reformën në Ushtri dhe në tërësi. Reformat kanë patur një rezonim shumë të fuqishëm dhe një vlerësim të vërtetë të madh. Reformat flasin, ato jehojnë dhe kjo ndodhi me reformat tona, por ta konsiderojmë këtë vetëm një stacion, për të arritur një stacion tjetër më të madh", - u shpreh kryeministri. Kryeministri ritheksoi edhe njëherë mbështetjen e qytetarëve shqiptarë, për të cilët, më shumë se për këdo tjetër, kjo ftesë garanton sigurinë e së ardhmes së tyre, ashtu siç e meritojnë vendet e lira dhe shoqëritë e lira.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›