Topi: “Pas Samitit, objektivi kryesor: reforma zgjedhore”
Presidenti Bamir Topi ka deklaruar se pas marrjes së ftesës në Samitin e Bukureshtit në NATO, objektivi kryesor i Shqipërisë është realizimi i reformave të kërkuara, veçanërisht reforma zgjedhore. Këtë angazhim, presidenti Topi e ka bërë gjatë takimit të posaçëm që ka zhvilluar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Xhon Uithers, i cili i shprehu urimet më të mira për ftesën e anëtarësimit në NATO që iu bë Shqipërisë në Samitin e Bukureshtit. Presidenti Topi, pasi e falënderoi ambasadorin Uithers dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme dhënë vendit tonë nga Shtetet e Bashkuara, vuri në pah rëndësinë e jashtëzakonshme të ndihmesës së aleatit tonë dhe mikut më të madh, presidentit Bush së bashku me qeverinë amerikane në përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë. Presidenti Topi theksoi gjithashtu se “procesi integrues i Shqipërisë në strukturat euro-atlantike, edhe pas marrjes së ftesës në Bukuresht do të intensifikohet edhe më tej me kryerjen e reformave të rëndësishme si ajo zgjedhore, me luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe arritjen e plotë të të gjitha kritereve dhe standardeve të kërkuara si dhe me vazhdimin e luajtjes së rolit moderator në interes të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajon e më gjerë”, - deklaroi numri 1 i shtetit shqiptar. Ambasadori amerikan Uithers, pasi i shprehu kreut të shtetit urimet më të përzemërta për ftesën e marrë nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut Verior, theksoi se falënderimi dhe mirënjohja e vërtetë u takon dhe është për vetë shqiptarët, të cilët nëpërmjet punës së jashtëzakonshme dhe të suksesshme, po i kthejnë aspiratat e tyre integruese në realitet.
8 Prill 2008