ISHP: “Gërdeci, zonë e rrezikshme deri në 1 kilometër nga krateri”
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik shpallin zonë të rrezikshme nga ndotjet toksike 1 kilometër larg vatrës së shpërthimit. Sipas tyre, kjo zonë është ende e rrezikshme deri në momentin e kryerjes së analizave laboratorike të mostrave të tokës. Në këtë zonë janë marrë mostra të tokës, të cilat do të çohen për analiza në Siena dhe për këtë është kërkuar edhe ndihma e britanikëve. Disa elemente kimike, si doksinat, furanet dhe poliklorurbifenilet, janë tepër të dëmshme për shëndetin e njeriut. Nëse toka rezulton e ndotur, atëherë edhe uji, edhe ajri i kësaj zone do të jenë të ndotura dhe do të përbëjnë një rrezik për shëndetin e banorëve që jetojnë në zonën e Gërdecit. Por deri në këtë moment asnjë prej banorëve nuk do të afrohet pranë zonës së rrezikshme. Banorëve nuk u lejohet ende ndërtimi pa u kryer analizat e nevojshme dhe pa u bërë çminimi i zonës. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, duke theksuar se monitorimet deri tani, nuk kanë konstatuar ndotje mbi normat e lejuara. Sipas tij, uji i pijshëm i rrjetit në Bashkinë Vorë, rezulton i pandotur nga mbetjet toksike, probleme janë evidentuar në ujin e puseve, për të cilin është rekomanduar moskonsumimi i tij. Veç ekzaminimit të ujit të pijshëm, zona e Gërdecit, ku ka ndodhur shpërthimi, i është nënshtruar dezinfektimit dhe pastrimit nga mbetjet toksike dhe kafshëve të ngordhura, me synim shmangien e kontaminimit të ambientit. Ndërkohë që zona larg kraterit ka rezultuar e pandotur. Kështu, nga monitorimi i vazhdueshëm i zonës së Gërdecit rezulton se ajri nuk është i ndotur dhe toka nuk ka elemente enteropatogjene të rrezikshme si “V. Cholerae”, “S. Typhi”, “non-typhoide”, “B anthrax”. Ekzaminimi i mostrave të tokës për metalet toksike si plumbi, zinku, kromi, kadmiumi dhe bakri janë në limitet e standardeve europiane. Sipas drejtorit të ISHP-së, agjentët e huaj që operojnë në këto monitorime kanë konfirmuar se lloji i shpërthimit në Gërdec ka një risk minimal për mjedisin dhe shëndetin e popullatës në kufijtë e së papërfillshmes.
8 Prill 2008