E Diel, 1 Nëntor 2026

Uithers: “Asnjë presion politik lidhur me hetimet për Gërdecin”

Ambasadori i SHBA-ve kërkon hetime të plota dhe të paanshme, pa ndërhyrje politike. Uithers inkurajon kryeprokuroren Ina Rama për suksesin e hetimeve

Shaban Sulçe
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Xhon Uithers, ka deklaruar se nuk duhet të ketë asnjë ndërhyrje apo presion politik në drejtim të kryeprokurores Ina Rama dhe institucionit të Prokurorisë gjatë hetimeve për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. “Ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme, për të gjetur të dhënat për kundërvajtje, shpresoj se nuk do të hasë asnjë ndërhyrje politike të asnjë lloji. Më tej shpresoj që procedurat gjyqësore të jenë rigoroze dhe që çfarëdo vendimesh që mund të jepen nga gjykatat shqiptare, ato të jenë në përputhje me krimet, pavarësisht statusit apo lidhjeve politike të kriminelëve”, - tha Uithers në seminarin “Për teknikat e hetimit financiar”, aktivitet i përbashkët midis Ambasadës Amerikane dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ku merrte pjesë edhe kryeprokurorja Ina Rama.

Hetime të plota

Ambasadori amerikan deklaroi gjithashtu se hetimet për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit duhet të jenë të plota dhe të paanshme dhe të mos frenohen, pavarësisht çdo emri të rëndësishëm që mund të rezultojë i implikuar. “Sot, përpara drejtësisë shqiptare ndodhet një hetim shumë i rëndësishëm mbi tragjedinë e Gërdecit. Unë dua të shpreh mbështetjen time të plotë për një hetim tërësor, të gjithanshëm dhe të paanshëm për shpërthimin e Gërdecit. Ky hetim duhet të arrijë kudo ku çojnë të dhënat, pavarësisht se në ç’drejtim apo se kush është i përfshirë. Vetëm kjo do të rivendosë besimin publik në institucionet shqiptare të drejtësisë”, - tha Uithers.

Inkurajim për Ina Ramën

Gjatë fjalës së tij në seminarin “Për teknikat e hetimit financiar”, ambasadori i SHBA-ve inkurajoi kryeprokuroren Ina Rama në angazhimin e saj për të zbardhur të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit. Uithers tha gjithashtu se Rama do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të kryer me sukses hetimet dhe këtu iu referua 6 agjentëve të FBI-së, të cilët do të ndihmojnë në hetimet për Gërdecin. “Unë besoj që jemi të gjithë me shumë fat që këtë hetim e drejton prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. Zonja prokurore e Përgjithshme, unë kam besim të plotë në udhëheqjen dhe drejtimin tuaj për këtë hetim. Në përgjigje të kërkesës suaj, gjashtë agjentë të hetimit penal federal nga SHBA-të, agjencia “TF, të cilët janë specialistë në hetimet për shpërthimet, mbërritën dje për të ndihmuar prokurorët dhe oficerët e policisë të ekipit hetimor për Gërdecin”, - tha numri 1 i Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Paralajmërimi për post-Gërdecin

Ambasadori Uithers theksoi ndihmën e qeverisë amerikane për Shqipërinë pas shpërthimit të ndodhur në Gërdec. Por ai shprehu shqetësimin për mënyrën se si është menaxhuar deri tani vendi i ngjarjes, teksa nuk e quajti të këshillueshme rikthimin e banorëve në shtëpitë e tyre për shkak të rreziqeve të tjera që mbart zona. “Shqipëria është një mike dhe tani një aleate në NATO e SHBA-ve dhe ne jemi krenarë që ofrojmë këtë ndihmë pas kësaj tragjedie. Megjithatë, jemi shumë të shqetësuar për menaxhimin e vendngjarjes. Ekspertët tanë e kanë këshilluar qeverinë që ekzistojnë çështje të sigurisë që mund të çojnë në lëndime të mëtejshme nëse nuk ndërmerren ndryshime. Specifikisht, zona është ende e mbushur me municione të pashpërthyera, një pjesë e madhe e tyre nën sipërfaqe dhe shumica e shtëpive në zonën e shpërthimit kanë pësuar dëme serioze strukturore. Ekzistojnë gjithashtu rreziqe mjedisore që janë ende për t’u analizuar.
Për këtë arsye këshilloj kundër lejimit të banorëve vendas që të rikthehen në shtëpitë e tyre para kohe. I kuptoj banorët, të cilët kuptohet mezi presin të rifillojnë jetët normale. Megjithatë, kthimi tepër herët është si të afrosh rreziqe serioze për njerëz që tashmë kanë vuajtur shumë. U kërkojmë autoriteteve shqiptare që të këshillojnë durim derisa të jetë përfunduar pastrimi i zonës dhe derisa të jenë rindërtuar shtëpitë e dëmtuara”, - tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›