E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia e pranon: “Emigrantët shqiptarë pasurojnë ekonominë tonë”

Shqiptarët kanë ndikuar në rritjen GDP-së greke me mbi 2.1 për qind. Raporti i NGB-së hedh poshtë zërat se emigrantët dëmtojnë shtetin helen

Ervin Koçi

Emigrantët shqiptarë në Greqi konsiderohen si forca më e madhe ekonomike e huaj në shtetin helen, të cilët me të ardhurat e tyre dhe depozitat bankare mbajnë në këmbë ekonominë e vendit fqinj. Ky përfundim ka dalë pas një studimi të tregut bankar dhe situatës ekonomike në shtetin helen në bërë nga Banka Kombëtare e Greqisë. Raporti i kësaj të fundit, pas publikimit zyrtar ka hedhur përfundimisht poshtë mitin se, “emigrantët po dëmtojnë ekonominë helene”, një argument ky i përdorur gjerësisht edhe në debatet politike të forcave të ndryshme politike greke, apo qoftë edhe në Kuvendin e Greqisë. Në raportin e publikuar vetën një javë më parë, NBG-ja ka arritur në përfundim se, “emigrantët nga vendet e Europës Juglindore, duke veçuar sidomos emigrantët shqiptarë, kanë pasur një kontribut të jashtëzakonshëm në lulëzimin e ekonomisë së Greqisë sidomos gjatë 15 viteve të fundit”. Raport vijon më tej duke thënë se, “ekonomia greke tashmë është më e fuqishme, më fleksible dhe po rritet më shpejt, falë kontributit të emigrantëve, sidomos atyre shqiptarë që posedojnë dhe sasinë më të madhe të llogarive bankare të depozituara në bankat greke”. Në raportin që është paraqitur zyrtarisht javën e kaluar edhe përpara mediave, thuhej edhe se “kryesisht emigrantët shqiptarë, pasi kanë humbur besimin në bankat shqiptare, sidomos pas problemeve financiare të vitit 1997-1998, i kanë depozituar të ardhurat e tyre në bankat greke”.

Studimi

Një studim i Institutit Grek për Politikat e Emigracionit ka arritur në përfundimin se, mbërritja e 200 mijë emigrantëve të rinj do të rriste PBB-në greke me të paktën 0.7 pikë përqindje, ose 16 për qind të totalit. Në Greqi jetojnë aktualisht më shumë se 700 mijë emigrantë shqiptarë, ku mbi 600 mijë janë të legalizuar dhe të njohur zyrtarisht nga shteti helen. Nga një analizë e thjeshtë del se deri tani shqiptarët kanë ndikuar në rritjen GDP-së greke me gati 2.1 pikë përqindje. Krahas përmirësimit të tregut të punës dhe rritjes së produktivitetit, emigrantët janë bërë tashmë një faktor me peshë edhe për sa i takon efektit në rritjen e konsumit të brendshëm, duke pasur kështu ndikim direkt në rritjen ekonomike.
Debati

Racizmi dhe deri diku ksenofobia, bëjnë që grekët të mos jenë koshientë për pasurinë e paçmuar (emigrantët) që kanë në vendin e tyre, edhe pse e përbuzin atë. Në Greqi ekziston një debat i ndezur në lidhje me ndikimin e emigrantëve në ekonominë helene. Pjesa dërrmuese e politikës greke, por edhe e vetë qytetarëve, mbrojnë idenë se emigrantët janë duke shkatërruar ekonominë greke, duke u shprehur në mjaftë raste se “emigrantët shqiptarë kanë ngritur “institucionin” e bakshishit (mitmarrjes ose ryshfetit), duke mësuar kështu në radhë të parë nëpunësit grek me këtë lloj shpërblimi të paligjshëm”. Por të dhënat e fundit të dala nga studimi i Institutit Grek për Politikat e Migrimit dhe NBG-ja kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e tyre. Pretendimet e atyre që janë kundër emigrantëve kanë të bëjnë kryesisht me faktin se këta të fundit shkatërrojnë tregun e punës, duke lënë shumë vendas të papunë. Por studimi ka arritur në përfundimin se, “nëse emigrantët do të largoheshin të gjithë nga Greqia, ata bashkë me të mirat materiale do të tërhiqnin njëherë e përgjithmonë edhe paratë e tyre të depozituara nga bankat greke (rreth 30 miliardë euro), duke sjellë një regres të thellë në ekonominë e shtetit helen. Po ashtu gjysma e vendeve të punës ku ata punojnë aktualisht do të mbeteshin bosh, por bashkë me këtë do të stoponte edhe zhvillimi ekonomik dhe ritmi i punës”. Krahas impakteve të emigrantëve, raporti vë në dukje edhe bumin ekonomik që po vjen nga rritja e bashkëpunimit të Greqisë me vendet e rajonit.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›