E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, rindizen debatet mes partive të vogla dhe PD-PS-së

Deputetët kundërshtojnë propozimin e PS-së për një sistem elektoral proporcional rajonal. Shqyrtimi i reformës shtyhet edhe një javë, përcaktohen relatorët

Erald Kapri

Qetësia politike midis partive të mëdha e të vogla të pozitës dhe opozitës, që kishte pllakosur në vend javën e fundit për shkak të ftesës për të hyrë në NATO, tashmë është prishur. Komisioni i Ligjeve ka nisur shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën zgjedhore të propozuar nga Partia Socialiste, por ka hasur në një kundërshtim të hapur nga partitë e vogla. Deputetët e këtyre partive kanë kundërshtuar propozimin e PS-së për një sistem elektoral me 140 deputetë që do të zgjidhen me sistem proporcional rajonal në 12 zona elektorale. Sipas deputetëve Arian Madhi dhe Spartak Braho, sistemi i ri po tentohet të miratohet në kushte jo konsensusi dhe me qëllim që të eliminohen faktorë politikë si dhe po stimulojnë një fenomen të ri “Dushku”. Mbas kundërshtive të deputetëve të PR-së dhe LSI-së, kryetari Beja vendosi që ditën e mërkurë të lexohet propozimi për ndryshim kushtetues nga Grupi Parlamentar i PS-së dhe për relacionet përkatëse u vendos që relatorët të jenë deputetët Fatmir Xhafa dhe Arenca Trashani. Sipas afateve kohore, shqyrtimi shtyhet për gati një javë, i cili përmban diskutimin e paketës për reformën zgjedhore të propozuar nga Partia Socialiste, e cila konsiston në ndryshimin e sistemit zgjedhor nga maxhoritar proporcional në proporcional, mbi bazën e listave shumemërore bazuar në 12 ndarje.
Kundërshtitë
Arian Madhi, deputet i PR-së, u shpreh se sistemi i ri zgjedhor duhet të përcaktohet në kushtet e një mirëkuptimi të plotë. “Çdo sistem zgjedhor duhet të kërkojë një konsensus të plotë e të gjerë nga të gjitha partitë, e për këtë arsye duhet të merren parasysh edhe sugjerimet që ofrohen nga partitë e tjera aleate”, - tha Madhi. Më i ashpër në fjalën e tij ka qenë deputeti i LSI-së, Spartak Braho. “Propozimi i bërë nga ana e Partisë Socialiste dhe që mbështetet nga ana e PD-së, kërkon jo vetëm eliminimin e partive të vogla parlamentare, të ashtuquajtura partitë e vogla, por stimulon edhe fenomenin ‘Dushk’. Për këtë arsye ne do të përpiqemi të demaskojmë marrëveshjen ndërmjet PS-PD-së, por edhe nuk do të lejojmë katrahurën që po përgatitet për zgjedhjet e 2009-s”, - tha Braho.
Komisioni
Shqyrtimin e propozimit të PS-së Madhi e cilësoi si antiparlamentar pasi nuk janë përcaktuar procedurat. “Kjo nismë nuk është parashikuar në kalendarin e këtij komisioni për t’u shqyrtuar. Në këto kushte, kur jemi në kundërshtim flagrant qoftë me kalendarin e miratuar në Kuvend, qoftë me procedurat që janë zbatuar në këtë komision, nuk është në nder të këtij komisioni, i cili është Komisioni i Ligjeve, që të shkelë procedurat”, - tha Madhi. Deputeti i PR-së u kundërshtua nga kryetari i Komisionit, Fatos Beja. Kjo ka ardhur që më 17 mars dhe u është shpërndarë të gjithë deputetëve. Është futur dhe është miratuar në Kuvend dhe ne po zbatojmë një vendim të Kuvendit këtu”, - tha Beja. Në këto kushte, deputeti socialist, Bashkim Fino, kërkoi shtyrjen e diskutimit të paketës së paraqitur nga selia rozë për javën që vjen. T’i bëjmë tamam që të mos i shqetësojmë edhe këto parti të vogla, që ditën e mërkurë të përcaktojmë edhe relatorët si dhe të dëgjojmë çështjen nga e para”, - tha Fino.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›