E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: PS e PD po abuzojnë me reformën zgjedhore



Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, akuzoi Partinë Socialiste se përsa i përket çështjes së reformës zgjedhore, është rreshtuar në krah të interesave të Partisë Demokratike dhe kryeministrit Sali Berisha. “LSI shpreh keqardhjen e thellë që PS-ja është bërë mbështetëse e hapur e kompromiseve antikushtetuese dhe jashtë institucioneve me Berishën, duke ripërsëritur proceset bipartizane që kanë shkatërruar zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë dhe që vonuan kaq shumë edhe marrjen e ftesës në NATO”, - tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së paralajmëroi përgjegjësi të mëdha politike për dy partitë e mëdha për deformimin që po i bëjnë procesit zgjedhor. “Paralajmërojmë publikisht ideatorët e zgjedhjeve të majit të 1996-s si dhe ata që ideuan zbatuan dhe përfituan nga Dushku u madh dhe i vogël përgjegjësitë e prishjes së procesit zgjedhor do të jenë edhe shumë të rënda, për arsye të sajimit të një reforme zgjedhore okulte bipartizane dhe jashtë institucioneve aq më shumë sot që Shqipëria është ftuar të bëhet pjesë e NATO-s. Lidershipët e PD-së dhe PS-së duhet ta harrojnë se mund t’u hedhin hi syve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë me çerekreformat bipartizane thellësisht të dështuara e pa përmbajtje që ata po ndërmarrin”, - tha Vasili.

PSD: Nuk bashkëpunojmë me Berishën për reformat

Partia Social Demokrate kundërshton idenë e bashkëpunimit me kryeministrin Berisha për të realizuar reformat e kërkuara, që do të siguronin anëtarësimin përfundimtar të Shqipërisë në NATO. Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, tha se ky bashkëpunim është i pamundur me kryeministrin Berisha, i cili, sipas tij, duhet të dorëhiqet. “Nuk mund të bashkëpunohet për reformat me Berishën, pasi qeveria e tij ka dështuar, rezulton e implikuar në kontrabandë armësh dhe prej tre vjetësh nuk realizon reforma, madje as formalisht”, - deklaroi kreu social-demokrat Skënder Gjinushi.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›