Berisha falënderon qeverinë greke për rrugën Qafë Bot- Sarandë
Kreu demokrat ka inspektuar mesditën e djeshme vënien në shfrytëzim për mjetet të 7.5 kilometrave të segmentit të parë të rrugës Qafë Bot- Sarandë, nga fshati Shkallë deri në pikën doganore Qafë- Bot. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha ka premtuar se kjo rrugë do të ketë gjithë elementët e një rruge të standardeve europiane duke e vlerësuar si aksin tepër të rëndësishëm që sipas tij nxit shkëmbimet dhe lehtëson ndjeshëm qarkullimin e kësaj zone me pikën kufitare të Qafë Botës.
Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të shprehur falënderimet për ndihmën bujare të qeverisë greke dhe taksapaguesve grekë. Ai u ndal në projektet rrugore të ndërmarra në këtë zonë, duke përmendur këtu ndërtimin e rrugës Kardhiq- Delvinë, ndërtimin e rrugës Tepelenë- Levan, zgjerimin e rrugës Delvinë - Sarandë, etj. Qeveria është tërësisht e përkushtuar për rindërtimin e të gjithë infrastrukturës rrugore në Shqipëri. Para disa ditësh, inaugurova fillimin e punimeve për autostradën Shkodër- Podgoricë, ndërkohë që ne do të realizojmë ndërtimin me katër korsi të rrugës nga Shkodra në Vlorë. Qëllimi ynë është që të kompletojmë infrastrukturën rrugore të vendit, u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë ka zhvilluar një takim me drejtuesit e kompanisë ndërtuese dhe stafin teknik të saj, të cilët i përgëzoi për punën e bërë deri tani. Ai shprehu kënaqësinë për cilësinë tepër të lartë të punimeve dhe ritmet e shpejta të tyre. Investimi për ndërtimin e rrugës Qafë Bot Sarandë kap vlerën 29 milionë euro dhe financohet 80 për qind nga qeveria greke, përmes një granti dhe, 20 për qind nga qeveria shqiptare. Rruga ka një gjatësi 40.5 kilometra dhe afati i përfundimit të punimeve është verë 2010.