E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krisma para mitingut të PD në Velipojë

Pak minuta para se të fillonte mitingu elektoral i nënkryetares së Partisë Demokratike Jozefina Topalli, në Velipojë janë dëgjuar krisma armësh, nga të cilat një person ka mbetur i plagosur. Ngjarja, sipas kryetarit të komunës së Velipojës, pretendohet se ka ndodhur pas një debati për motive politike mes dy personave, njëri prej të cilëve është shoferi i kryetarit të komunës Velipojë. Sipas dëshmitarëve, fillimisht ka pasur përleshje trup më trup mes dy personave, ndërsa më pas janë përdorur edhe armët. Plagosja e shoferit të kreut të komunës është shkaktuar nga goditja në kokë me qytën e pistoletës dhe jo me plumb. I plagosuri është dërguar në spital, ndërsa policia ka shoqëruar dëshmitarët e ngjarjes. Kryetari i komunës së Velipojës thotë se autori i plagosjes është një aktivist i majtë, por ky fakt mohohet nga përfaqësuesit socialistë të Velipojës, të cilët thonë se nuk e kanë pasur asnjëherë në aktivitetet e tyre personin në fjalë. Ndërkohë, në Velipojë fare pranë vendit ku policia po mblidhte si provë materiale plumbat e një pistolete TT, po përgatitej të niste një miting elektoral. Kjo ngjarje tregon tensionin që ka sjellë fushata elektorale në ditët e fundit te saj. Vetëm tre ditë më parë në zonën e Shkodrës ndodhi një ngjarje shumë më e rëndë kur kryetari i Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe u vra në një atentat të mirëpërgatitur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›