E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton subvencionim pa kufizim për çdo rrënjë ulliri

Kryeministri Berisha gjatë turit të tij elektoral të zhvilluar në jug të vendit, është ndaluar edhe në zonën bregdetare të Ksamilit. Ai u premtoi banorëve të kësaj zone, se potenciali i madh turistik i Ksamilit do të shfrytëzohet në mënyrën më racionale, në interesin e banorëve të saj dhe të pushuesve. Kryeministri Berisha premtoi vëmendjen e plotë të qeverisë për zhvillimin e kësaj zone dhe shfrytëzimin sa më racional të potencialeve turistike të saj, duke përmendur këtu ndërtimin e një infrastrukture moderne, furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm, mbështetjen e fermerëve të zonës, subvencionimin për projektin e mbjelljes së çdo rrënje ulli, etj. Dua ti siguroj qytetarët e Ksamilit se qeveria do të subvencionojë pa kufizim, çdo rrënjë ulli që ata do të mbjellin. Ka mbetur problemi i ish punonjësve të Fermës këtu. Unë e çova ligjin në parlament, por  ju e patë edhe vet se 2-3 deputetë  e drodhën fjalën. Por ata nuk do të mund ta bëjnë më. Unë i siguroj edhe ata se ne do ta bëjmë ligjin. Unë i qëndroj plotësisht dekretit që kam bërë dikur dhe jam një njeri që nuk tërhiqem nga detyrimet e mia, nënvizoi ai. Një tjetër premtim tepër i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, ka qenë edhe fakti i Ksamilit Bashki. Kreu i qeverisë ka theksuar se problemet e Ksamilit janë probleme shumë të rëndësishme për të gjithë vendin, sepse kjo bashki, pasi premtoi në këtë drejtim se Ksamili do të bëhet Bashki, ka një potencial të madh turistik, ka një vijë bregdetare pronë publike të bashkisë. Sipas Berishës kjo vijë bregdetare do të shfrytëzohet në mënyrën më racionale, në interesin e banorëve të Ksamilit dhe të pushuesve, ku shtoi ndër të tjera se kjo zonë do të ketë të gjithë infrastrukturën moderne dhe do të asfaltohet çdo skaj i territorit të bashkisë. Kryeministri Berisha ka qenë i pranishëm në inaugurimin e shëtitores së Ksamilit, një investim prej rreth 1 milionë euro. Në këtë drejtim ai ka përmendur investimet e bëra në këtë zonë, që kapin shifrën e 3.2 miliardë lekë, kundrejt 0 lekë të qeverisjes socialiste. Ai ka uruar gjithë qytetarët e Ksamilit, të kësaj perle turistike, për shëtitoren e re, duke përmendur investimin për ujësjellësin me vlerë prej 4 milionë euro. Ndërsa gjatë mitingut në Gjirokastër, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të minoritetit të votojnë Partinë Demokratike si dhe ftoi të gjithë emigrantët shqiptarë të votojnë në zgjedhjet e 28. Në emrin tuaj le ti drejtojmë një thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë kudo që janë. Sot është një rast i madh për ne për të shprehur një mirënjohje shumë të thellë, se në të gjitha këto ndryshime të mëdha është dhe djersa, mundi dhe kontributi juaj, ka theksuar Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›