Olldashi: Nuk do të ketë rrugë fshatrash e lagjesh të paasfaltuara
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, njëkohësisht kandidat për deputet i Partisë Demokratike për qarkun Fier, në takimin e radhës në fshatin Ngjeqar, të komunës së Kurjanit, në rrethin e Fierit, premtoi thellimin dhe avancimin e arritjeve të shënuara gjatë këtyre katër viteve qeverisjeje të Partisë Demokratike.
Ndërtuam dhe rikonstruktuam rreth 6000 km rrugë, ndërtuam rreth 1012 shkolla, që do të thotë se në çdo 28 orë ndërtuam apo rikonstruktuam një shkollë, realizuam furnizimin me energji elektrike gjatë 24 orëve, përfunduam akset rrugore kryesore kombëtare, u shpreh Olldashi. Duke folur për prioritetet e Partisë Demokratike në mandatin e dytë qeverisës Olldashi theksoi se nuk do të ketë më komunë pa u lidhur me rrugë të asfaltuar me aksin më të afërt nacional, si dhe nuk do të ketë rrugë lagjesh e fshatrash të paasfaltuara. Ndër të tjera ai u përqendrua edhe tek mbështetja financiare që qeveria u ka dhënë fermerëve nëpërmjet skemave të subvencionimit, ku premtoi financim nga qeveria të mekanikës bujqësore dhe imputeve bujqësore.