E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi për Kushtetutën, Kushtetuesja pranon kërkesën

 

Fabiola Çela

Gjykata Kushtetuese ka miratuar futjen në gjykim të kërkesës së Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës. Me 5 vota pro dhe 4 kundër, anëtarët e kësaj gjykate e kanë parë kërkesën e KMK objekt të saj të shqyrtimit. Dy muaj më parë Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës depozitoi në Gjykatën Kushtetuese  kërkesën e tij për shfuqizimin e vendimit të KQZ-së.
Hartues i kërkesës është grupi nismëtar për zhvillimin e referendumit, i përbërë nga figura të shquara të shoqërisë civile dhe politikës. "Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos marrë në shqyrtim kërkesën për fillimin e procedurave për një referendum të përgjithshëm, cenon të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt ligjor me qëllim mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm", thuhet në kërkesën e komitetit. Sipas tij, "KQZ-ja duhet të zbatonte nenin 127 të ligjit, duke dhënë fletët-tip për mbledhjen e nënshkrimeve kundrejt pagesës". Vetëm pas mbledhjes së nënshkrimeve nga jo më pak se 50.000 zgjedhësish të regjistruar, KQZ-ja mund të shqyrtonte rregullshmërinë e kërkesës. Me vendimin e dhënë, KQZ mori kompetencat e Gjykatës Kushtetuese", shprehet grupi nismëtar. "KQZ ka shkelur rëndë procedurat ligjore të përcaktuara në nenin 126, 127 e vijues të Kodit Zgjedhor duke mos pranuar për shqyrtim kërkesën tonë.
Komiteti shprehet se i vetmi institucion, që mund të shprehet për kushtetutshmërinë e një referendumi është Gjykata Kushtetuese.
Po dje, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës i ka dërguar një letër presidentit të Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso, komisionarit për Zgjerimin e BE-së, Olli Rehn, ku shprehet shqetësimi për rrezikimin e demokracisë liberale në Shqipëri pas amendamenteve të 21 prillit. "Kushtetuta detyron organizimin e një referendumi kur këtë e kërkojnë të paktën 50 mijë qytetarë. Ata janë shumë më tepër dhe prandaj, në respekt të Kushtetutës, ligjit, lirisë dhe demokracisë duhet të lejohen të shkojnë në referendum ku do të votohen amendimet e Kushtetutës të realizuara më 21 prill me anë të ligjit nr. 9904", shprehet komiteti në letrën drejtuar dy personaliteteve evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›