Zgjedhjet, Meta lë Skraparin, kandidon në Tiranë
Kreu i LSI Ilir Meta, prezantoi dje në qytetin e Çorovodës kandidatin për deputet Nasip Naço. Meta tha, se LSI është ajo forcë politike, e cila do ta rilindë të majtën. "Sistemi i ri, pavarësisht nga disa vështirësi dhe disa probleme, që ka është një sistem shumë i favorshëm për ne. Është sistemi që më shumë se çdo parti tjetër favorizon LSI-në në kushtet aktuale", tha Meta. Në këtë takim, Meta ka falënderuar popullin e Skraparit për mbështetjen, që i ka dhënë kësaj partie qysh në fillimet e saj e në vazhdim. Duke folur për presionin e Qeverisë ndaj Prokurorisë, Meta tha se: "Saliu do ligj 'Për Prokurorinë', sepse do t'i terrorizojë prokurorët, që ata të mos nxjerrin as të vërtetat e Gërdecit, as të rrugës Durrës-Kukës, as këtë të pastrimit të parave, që ka lidhje me Fazlliçin". Meta e konsideroi bashkëpunimin Rama-Berisha si pjesë e interesave ekonomike. "Unë po ju them, që nga të gjitha këto që ka bërë Edi Rama në raport me Saliun, për sa i takon Kushtetutës, rregullores për Presidentin, e të gjitha me radhë, ka fituar Saliu, ndërsa përfitimi që ka marrë Edi Rama nga ky bashkëpunim i fëlliqur ka qenë për ca biznese të lidhura me të", tha Meta. Në fund, Meta garantoi popullin e Skraparit, por edhe të gjithë Shqipërisë, se në vitin 2009, LSI të jetë ajo forcë që do të drejtojë qeverisjen e vendit, por edhe që do të kthejë qeverisjen me sytë nga populli, me sytë nga njerëzit dhe nga hallet e tyre.