E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhjetë heronj na bëjnë me zemër, barazim historik në Portugali

 

Shqipëria rezulton e pakalueshme për Portugalinë. Për më shumë se 60 minuta 10 kuqezinjtë e Ari Haan kanë bërë me zemër gjithë shqiptarët, deri në momentin kur gjyqtari gjerman ka fërshëllyer për përfundimin e ndeshjes. Skuadra portugeze, megjithëse e konsideronte një ndeshje goleade përballjen me Shqipërinë, nuk ka marrë më shumë se një barazim 0-0. Madje për portugezët mund të kishte shkuar edhe më keq, nëse Berisha do të ishte treguar më i kujdesshëm para portës vendase në fund të pjesës së dytë. Me një skuadër tërësisht mbrojtëse në të gjithë lojën tekniku holandez koleksionon kështu, pas katër pikëve të para, një barazim historik ndaj një prej skuadrave më të mira në Evropë. Fillimi i ndeshjes, ndryshe nga sa pritej ishte i qetë dhe vetëm në minutën e 6' mbrojtësi Alves i gjetur i pambuluar në mes të zonës, ka gjuajtur, por portieri Beqaj ka qenë në pozicion. Një minutë më vonë do të jetë mesfushori Duro, që do të provojë nga jashtë zone dhe topi përfundon larg portës. Të njëjtin fat do të ketë edhe gjuajtja e Ervin Bulkut. Në të '24 trajneri Haan ka nxjerrë nga loja mbrojtësin Beqiri të dëmtuar dhe në vend të tij është futur Admir Teli, i cili nuk do të qëndrojë gjatë në fushë. Rasti më i mirë për skuadrën shqiptare ishte në minutën e 28-të kur Duro kroson, por Bulku nuk arrin të devijojë topin në portë dhe pas tij as Agolli. Tre minuta më vonë Teli merr kartonin e parë të verdhë, teksa del nga muri pa u ekzekutuar një goditje dënimi e Ronaldos. Në minutën e 39-të vendasit i afrohen sërish golit me një gjuajte të kapitenit të tyre, por topi pritet me vështirësi nga portieri shqiptar. Në fund të pjesës së parë kuqezinjtë mbesin me 10 futbollistë për shkak të një ndërhyrje të gabuar të Telit ndaj Ronaldos. Pjesa e dytë ishte akoma edhe më mbrojtëse për skuadrën tonë kur trajneri Haan hoqi Erjon Bogdanin për t'ia lënë vendin Endri Vrapit, ndërsa portugezi Queiroz hodhi në fushë dy futbollistë me tipare sulmuese, Kuarezma dhe Nani. Në minutën e 52-të Almeida ishte fare pranë golit për portugezët, por gjuajtja e tij me kokë pritet nga portieri Beqaj. Në minutën e 67-të ishte sërish Almeida, i cili pasi mori një krosim nga e djathta nga Nani, gjuan me kokë dhe topi pasi prek shtyllën, pritet instinktivisht nga portieri kuqezi. Në mesin e pjesës së dytë, trajneri portugez shndërron skuadrën në një ekip tërësisht sulmues kur vendin e Miguel e zë sulmuesi Nuno Gomesh. Por as ai dhe as Ronaldo, Nani e as Kuarezma nuk arrijnë të rrezikojnë portën e Beqajt. Si kundërpërgjigje trajneri Haan hedh në sulm Berishën, i cili pa u mbushur një minutë merr një top në qendër të fushës dhe arrin të depërtojë deri në zonën vendase, por në vend të pasonte për Skelën, i cili gjendej i pambuluar, preferon të gjuajë vetë dhe e nxjerr topin jashtë. Në minutat e fundit rasti më i mirë për portugezët ishte ai i Nanit në minutën e 86-të, i cili pas një topi të Nuno Gomesh del përballë Beqajt, por ky i fundit është i pakalueshëm.

PORTUGALI - SHQIPERI 0-0

"Estadio Municipal de Braga",
data 15.10.2008, ora 21.45
Eliminatore, Grupi 1, "Botërori 2010"
PORTUGALIA: Kuim; Miguel (75' Gomesh), Pepe, Alvesh, Ferreira, Moutinjo (54' Kuarezma), Meireles, Dani (54'Nani); K.Ronaldo, Almeida.
Trajner: Kalos Kueiroz

SHQIPËRIA: Beqaj; Beqiri (Teli 24?), Curri, Vangjeli, Agolli, Cana, Bulku, Lala, Skela, Bogdani (46' Vrapi), Duro (76' Berisha)
Trajner: Ari Han
Gjyqtarë: Kirsher, Shifner, Bornhorst (Gjermani)
Kartonë të verdhë: Almeida 92'/Teli 36', 42', Lala 39'
Kartonë të kuq: Teli 42'

Hungaria fitore me Maltën
Skuadra e Hungarisë ka shënuar vetëm një gol ndaj Maltës, por i ka mjaftuar për të marrë tre pikë. Në katër ditë skuadra e Kuman arriti të marrë gjashtë pikë, duke u ngjitur në kuotën e 7 pikëve. Miqtë kaluan në avantazh në minutën e '23 me anë të sulmuesit Torghelle. Por gjatë 45 minutave të para skuadra hungareze bëri disa ndërhyrje të parregullta, duke u ndëshkuar me tre kartona të verdhë (Dardai, Juhasz dhe Gera). Edhe gjatë 45 minutave të dyta skuadra malteze nuk ka arritur të rrezikojë portën hungareze, duke koleksionuar në këtë mënyrë humbjen e katërt në po kaq ndeshje, teksa ka pësuar 11 gola dhe ende nuk ka shënuar asnjë. 

Duka: Berisha më tha, nuk e pashë Skelën
Presidenti i FSHF-së Armand Duka, përmendi për "Supersport", për rastin e Berishës, se kishte folur me të pas ndeshjes dhe i kishte pohuar se nuk kishte parë Skelën, në rastin për gol. Duka e cilësoi barazimin si të arritur me meritë, pasi luajtëm një pjesë të dytë me qetësi dhe siguri.

Skela: Mendoj se Berisha nuk më ka parë
Organizatori i skuadrës tonë kombëtare, ka pohuar mbrëmë se për rastin e Berishës, ai pohoi se ka folur me këtë të fundit, që i ka thënë se nuk e kishte parë Skelën, pas depërtimit të tij. "E vlerësova Berishën në driblimin e tij, sepse ai është i shpejtë, por mendoj se nuk më pa". Sipas Skelës, nëse do të ishte shënuar në këtë ndeshje do të kishte qenë historike.

Renditja

Skuadra     N  F  B  H  G     Pikë
1 Danimarka    3  2  1   0  6-2     7
2 Hungaria     4  2  1   1  4-2     7
3 Portugalia     4  1  2   1  6-3     5
4 Shqipëri     4  1  2   1  3-2     5
5 Suedia     3  1  2   0  2-1     5
6 Malta         4  0  0  4  0-11     0

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›