Spanjë, Komisioni i Jashtëm voton Paktin e NATO
Komisioni i Jashtëm i Parlamentit spanjoll miratoi me unanimitet Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, gjatë vizitës së Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Komisioni i jashtëm i Kongresit të deputetëve (Parlamentit) të Spanjës miratoi Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe brenda pak javësh ky ratifikim pritet të bëhet nga Parlamenti dhe Senati spanjoll. Ky miratim u realizua gjatë vizitës zyrtare të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Spanjë me ftesë të Presidentit të Senatit, Francisco Javier Rojo, vizita e parë e këtij niveli të lartë në të gjithë harkun kohor të marrëdhënieve mes dy vendeve. "Senati i Spanjës do të ratifikojë protokollin e anëtarësimit në NATO sa më shpejt të jetë e mundur." Kjo ju konfirmua Kryetares së Kuvendit nga Presidenti i Senatit spanjoll, Javier Rojo në pritjen e përzemër të rezervuar për delegacionin parlamentar shqiptar. Pasi shprehu kënaqësinë e këtij takimi, Javier Rojo tha se kjo vizitë e këtij niveli të lartë hap një kapitull të ri dhe do të nxisë linja të reja bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Spanjës duke shërbyer si një bazë e fortë për dinamizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.