Vdekja e Kosta Trebickës, mbyllet dosja
V E N D I M
Për pushimin e hetimeve të procedimit penal nr.1006 të vitit 2008
Në Korçë, në datën 15.10.2008
Në Prokurorët Përparim VUKAJ dhe Hysen KULLA të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, pasi studiuam të gjitha aktet dhe materialet hetimore të administruara në procedimin penal nr.1006 të vitit 2008, që bëjnë fjalë për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor e parashikuar si krim nga neni 290/1 të K.Penal:
K O N S T A T U A M
Mbi bazën e këqyrjes së vendit të ngjarjes së datës 12.09.2008, ku është gjetur i vdekur shtetasi Kosta Trebicka, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë në datë 13.09.2008 ka regjistruar procedimin penal nr.1006 viti 2008 për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor" parashikuar nga neni 290/1 të K.Penal.
Nga tërësia e hetimeve të kryera rreth këtij procedimi penal ka rezultuar e provuar si më poshtë:
Në datë 12.09.2008 me marrjen e njoftimit nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë ku jemi njoftuar se në vendin e quajtur "Kullat e Gjergjevicës" në aksin rrugor Lekas-Voskopojë është gjetur i vdekur shtetasi Kosta Trebicka, menjëherë është krijuar grupi hetimor me përbërje të drejtuesit të prokurorisë dhe prokurorit të gatshëm, si dhe të ekspertëve kriminalistë dhe mjekoligjorë ku është shkuar tek vendi i ngjarjes.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar si më poshtë
Nga lindja vendi i ngjarjes kufizohej me një pjesë pylli me bredh dhe pishë.
Nga perëndimi vendi i ngjarjes kufizohej me rrugën rurale që të çon në fshatin Gjergjevicë.
Nga jugu kufizohej me kodrat e fshatit Gjergjevicë.
Nga veriu kufizohej me rrugën rurale që të çon në fshatin Voskopojë.
Si pikë orientuese për fiksimin e të gjitha provave që janë gjetur në vendin e ngjarjes është marrë kryqëzimi i rrugës rurale ekzistuese Lekas-Voskopojë. Në distancën rreth 95 m nga ky kryqëzim kur je i orientuar me drejtim lëvizje për të shkuar sipër në pjesën e rrugës të hapur rishtazi gati me ekstremin lindor të kësaj rruge gjendet fillimi i një gjurme rrëshqitje gomash automjeti që fillojnë nga krahu i djathtë i kësaj rruge në kulm me tendencë vazhdimi nga krahu i djathtë i kësaj rruge, me gjatësi 9.8 m e matur sipas formës së rrëshqitjes. Në mesin e rrugës të hapur rishtas kemi një ndërprerje të kësaj gjurme dhe mandej pas kësaj distance ajo fillon shfaqet përsëri duke pasur një gjatësi të përgjithshme 1.9 m. Theksojmë se kjo gjurmë në pjesën më të dukshme të saj ka gjerësinë 0.42 m dhe përfundon pothuajse në krahun perëndimor të saj ku është edhe fundi i gjerësisë të kësaj rruge. Në të majtë të fillimit të kësaj gjurme, 5.3 m poshtë saj në drejtimin verior mbi një pjesë të ngritur të mesit të kësaj rruge gjendet fillimi i një gjurme rrëshqitje, formuar nga gomat e krahut të majtë të automjetit. Gjatësia e përgjithshme e kësaj gjurme është 7.8 m. Fundi i kësaj gjurme gjendet në pjesën e ngritur të ekstremit perëndimor të rrugës. Gjerësia midis gjurmëve e matur në mesin e tyre është 1.65 m. Fundi i këtyre gjurmëve dhe konkretisht 1.9 m nga ajo e krahut të djathtë dhe 1.2 m nga ajo e krahut të majtë, gati në fundin e ekstremit perëndimor të kësaj rruge poshtë tyre konstatohet prania e një mase xhamash të thyer, të cilat janë pjesë e një të tëre me sy të lirë, me një sipërfaqe 0.6 cm X 0.7 cm. Në krahun verilindor të qendrës të këtyre copave xhami në distancë 1.7 m nga koka dhe 2.7 m nga këmbët gjendet një kufomë e seksit mashkull me vendndodhje gati në qendër të kësaj rruge dhe me pozicion gati pingul me aksin e saj.
Kufoma ka një gjatësi trupore gati 1.74 m , me konstrukt të rregullt trupor, me krahë të hapur, me gjatësi gati 1.24 m. Kufoma ndodhet në pozicion me shpinë nga toka, koka është në kënd 30 gradë në pjesën verilindore. Koka është e mbuluar me flokë të shkurtër të zinj të thinjur në masën 85 %, të rralla në pjesën e ballit, me gjatësi rreth 1 cm. Sytë e mbyllur plotësisht, goja gjysmë e hapur. Nga goja, vrimat e hundës dhe vrimat e veshëve konstatohen sekrecione hemorragjike me ngjyrë të kuqe të thatë. Në pjesën e poshtme të kokës nga ana e djathtë e saj vërehet një masë gjaku, amorfe dhe gjak të kuq të errët dhe shtrihet nga pjesa e pasme e kokës dhe arrin në mesin e krahut të djathtë në përmasa 40 cm. Në anën e djathtë të kokës ngjitur me pjesën e tokës është vërejtur një plagë shquese e mbuluar me gjak të mpiksur. Në anën e majtë të kokës është vërejtur një rrëke gjaku me ngjyrë të kuqe të errët, që ka përshkruar një distancë 140 cm. Ngjitur me kokën në distancë 8 cm nga ana e majtë e saj është gjendur një kapele me lara ushtarake. Të dy parakrahët kanë qenë të mbushura me spërkatje gjaku. Në trup viktima mbante të veshur një bluzë me mëngë të shkurtër me ngjyrë ushtarake laramane. Në krahun e majtë mbante një orë dore me zinxhir me ngjyrë të verdhë. Gishtat e dorës së majtë në pjesën e brendshme palmore kane qenë me sekrecione hemorragjike me ngjyrë të kuqe (gjak). Kufoma mbante të veshur një palë pantallona të shkurtra me lara, ngjyre ushtarake në ngjyrat kafe dhe të gjelbër. Në xhepin e majtë të pantallonave ndodhej një shpend i futur me karakteristikat e thëllëzave. Gjithashtu, në brez ka pasur të lidhur një këllëf mbajtës bosh, formë cilindri me mbishkrimin "California Inovation". Kufoma në këmbë mbante të veshur një palë këpucë ngjyrë kafe me mbishkrimin "timberland" me qafa si dhe një palë çorape pambuku me qafë të gjatë. Kufoma është transportuar për në morgun e spitalit civil Korçë për t'iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme. Të gjitha provat materiale të gjetura në vendin e ngjarjes janë marrë konform rregullave procedurale dhe janë nënshtruar ekspertimeve përkatëse.
Makina është ngjyrë e kuqe, tek derë kabriolet, me katër goma rreze 16 dhe gome rezerve. Makina është me 3+1 vende dhe xhami i parë paraqitet i thyer, parafango e krahut të djathtë e deformuar, parafango e parë krahu i shoferit e dëmtuar në vetullën e saj nga jashtë brenda, Kofano paraqet gërvishtje të freskëta pingul në aksin gjatësor dhe paralel me njëra-tjetrën. Këto gërvishtje shtrihen gati në të gjithë gjerësinë e kofanos. Maskarino paraqitet në gjendje të rregullt edhe fenerët origjinalë. Maskarino në pjesën e sipërme të krahut të majtë paraqet një thyerje të freskët me dimensione 5 cm X 6 cm. Parafango e krahut të majtë sipër paraqitet e dëmtuar në trajtë shtypje me drejtim nga jashtë brenda nga e majta në të djathtë me dimensione 62 cm X 3 cm. Parafango e krahut të djathtë paraqitet në trajtë shtypje jo të njëtrajtshme dhe të vazhdueshme ku më e madhja 20 cm X 5 cm dhe e vogla 7 cm X 4 cm. Më tej dera e krahut të djathtë paraqet dëmtime masive në nivelin e dorezës midis dy llamarinave të derës. Pasqyra paraqitet e dëmtuar dhe së bashku e futur në pjesën e brendshme të xhamit. Në pjesën e kornizës krahu i djathtë i mbajtjes së xhamit paraqet dëmtime të freskëta pothuajse gjatë gjithë gjatësisë, me përqendrim më të madh nga gjysma e gjatësisë sipër. Në distancën 0.28 m nga këndi i poshtëm i derës sipër saj gjendet një masë dheu e thatë në trajtë stampimi bashkë me bar. Xhami i parë i derës së pasagjerit paraqitej i thyer plotësisht. Xhami i parë i zhvendosur nga pozicioni fillestar. Parafango e krahut të djathtë mbrapa paraqitej me dëmtime të freskëta në trajtë shtypje me vendosje topografike përpara 0.3 m dhe pjesa e sipërme përsëri me heqje boje. Në pjesën e llamarinës në zonën e sinjalit krahu i djathtë, vërehej një gërvishtje e freskët me gjatësi 8 cm dhe pozicion 45 gradë në aksin gjatësor. Sinjali i majtë anësor i pasmë paraqitej me thyerje të freskët në të gjithë lartësinë e saj. Parakolpi në pjesën anësore të tij në krahun e majtë ka pasur një shtypje të freskët nga jashtë brenda e shoqëruar me gërvishtje të freskëta anësore. Po kështu, ky automjet është këqyrur me imtësi në prani të ekspertëve në ambientet e Drejtorisë së Policisë Korçë dhe i është nënshtruar ekspertimeve dhe eksperimenteve për gjendjen teknike të tij.
Në bazë të akteve të ekspertimeve autoteknike të së tre ekspertëve të caktuar nga organi procedues, ekspertet në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri kanë dhënë këto konkluzione për dinamikën e ndodhjes së aksidentit si më poshtë:
1- Në bazë të raportit të oficerit të lartë Kevin Teter i policisë së shtetit Virxhinia, i thirrur nga Prokuroria Shqiptare në cilësinë e ekspertit theksohet se kjo manovër e menjëhershme ka bërë që pesha e automjetit të kalojë në krahun e djathtë dhe të rrotullojë mjetin duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe duke e hedhur shoferin nga zona e hapur e tavanit. Ndërkohë automjeti është rrotulluar në tavanin e tij, mbi shoferin dhe eventualisht është kthyer mbi rrota pingul me rrugën. Si rezultat i pjerrësisë së rrugës për poshtë në drejtim të lindjes automjeti eci mbrapsht deri në pozicionin final të qëndrimit të tij.
2- Në bazë të aktit të ekspertimit autoteknik të ing. Daniel Xhemo dinamika e ndodhjes së aksidentit është si më poshtë;
"Autovetura e drejtuar nga i ndjeri Kosta Trebicka pak para fillimit të shfaqjes së gjurmëve rrëshqitëse, ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi V sipas drejtimit jug-veri dhe e pozicionuar gati në gjysmën e djathtë të rrugës, me një tendencë të lehtë për nga e djathta, gjë që e vërteton gjurma e lënë nga goma e djathtë prapa. Për arsye të pashpjegueshme dhe që mund të jenë vetëm hipoteza, autovetura, pasi ka pësuar një proces rrëshqitje me gomat e para dhe më pas me të pasmet, ka marrë një kthesë të menjëhershme majtas, duke tentuar të tejkalojë kufirin anësor të majtë të rrugës, ku pjesa përtej këtij kufiri është e ngritur në formë skarpati. Si rezultat i veprimit të forcës centrifugale Fc dhe animit nën një kënd ?°, autovetura (shiko figurat në aktin e ekspertimit) është futur në një gjendje të paqëndrueshme të lëvizjes. Fillimisht ka ndodhur rrotullimi sipas boshtit X-X dhe më pas ka filluar përmbysja sipas boshtit I-I, (fig A,A/1). Pas një rrotullimi prej rreth 90°, faqja anësore e djathtë është përplasur në skarpat (vendi ku gjenden pjesët e xhamit të thyer), ( fig A,A/2 shiko aktin e ekspertimit të ing.Daniel Xhemo), shih skemën në faqe 6.
Si shihet edhe nga kinematika e rrotullimit të mjetit, në momentin kur makina ka qenë në pozicionin tre, pra me gomat lart mjeti ka qenë saktësisht mbi viktimën duke i shkaktuar atij dëmtimet e konstatuara në aktin mjeko-ligjor.
Ndërsa drejtuesi i autoveturës në fillimin e përmbysjes gjatë rrotullimit të parë ka qenë nën ushtrimin e forcave aktive një planëshe, asaj të rëndesës G dhe dy forcave centrifugale Fc, F'c. Rezultantja e tyre e ka detyruar trupin e tij të shkëputet nga sedilja (rripi i sigurimit nuk ka qenë i vënë), të rrotullohet në sens orar dhe të zhvendoset (të lëvizë) drejt derës së djathtë. Gjatë rrotullimit të dytë të autoveturës, për shkak të dominimit të peshës gravitacionale vetjake G, trupi i tij është pozicionuar në hapësirën e hapur të çatisë (baxhës), nëpërmjet të cilës është larguar jashtë autoveturës, duke u shembur në rrugë dhe njëkohësisht duke marrë goditje nga pjesët e jashtme të saj".
3- Në bazë të aktit të ekspertimit autoteknik të ekspertit Gëzim Hoxha mekanizmi i ndodhjes së aksidentit është si më poshtë:
"Automjeti tip "Nissan: me targa TR 8843 J që drejtohej nga shtetasi Kosta Trebicka qarkullonte në rrugën e hapur rishtas Lekas-Voskopojë me drejtim nga jugu për veri. Në vendin e quajtur Kullat e Gjergjevicës në afërsi të fshatit Voskopojë, rruga ku qarkullonte mjeti në raport me terrenin vjen me një pjerrësi të lehtë. Në krahun e djathtë të rrugës drejtimi lindor vendi vjen i pjerrët dhe lidhur me rrugën ai përfaqëson një sipërfaqe të konsiderueshme paralel me atë dhe që është e mbuluar me bar të thatë. Në krahun e majtë të rrugës drejtimi perëndim vendi vjen më i ngritur në raport me rrugën dhe krijon një disnivel të përgjithshëm në vlerat 50-70 cm dhe në pjesën ngjitur me rrugën ku lëviz mjeti një skarpat të ngritur në vlerat 27-40 cm. Para afrimit të vendit të ngjarjes (në distancë 95 m nga pika e referimit) automjeti ka qenë duke udhëtuar drejt tij duke qenë i vendosur plotësisht në ekstremin e krahut të djathtë të rrugës. Në këto momente për arsye të panjohura drejtuesi i mjetit kryen një manovrim të menjëhershëm majtas me timon për të kaluar mjetin nga krahu i djathtë i rrugës në atë të majtë. Gomat e krahut të majtë dalin nga rruga e hipin mbi skarpatin perëndimor të saj, ndërsa gomat e krahut të djathtë janë të pozicionuara në gjysmën e rrugës pjesa perëndimore e saj. Ndërsa mjeti ka hyrë në kthesë dhe gomat e krahut të majtë kanë filluar lëvizjen në pjesën perëndimore jashtë rrugës, ato kanë filluar të shkëputin kontaktin me tokën dhe lëvizja e mjetit vjen duke u ngadalësuar. Në momentin që goma e parë e majtë ka përshkruar distancën 2.8 metër jashtë rrugës në pjesën e ngritur në perëndim, ndërsa goma e parë djathtas sapo ka filluar të shkelë në skarpat, kemi fillimin e përmbysjes së plotë të mjetit". Lidhur me drejtuesin e mjetit në momentin që mjeti rrotullohet dhe përmbyset, forca që vepron mbi mjet vepron edhe mbi drejtuesin e mjetit i cili në këtë moment konsiderohet trup i vetëm me mjetin. Për arsye të kësaj force drejtuesi i mjetit i pafiksuar në mjet me rripin e sigurisë së pavendosur, hidhet jashtë mjetit nëpërmjet pjesë së hapur në tavanin e modifikuar në tokë dhe për shkak të shpejtësisë/ energjisë që zotëron vazhdon të spostohet më tej duke rrëshqitur në sipërfaqen e tokës dhe ndalon në pozicionin e fiksuar në vendngjarje"
Siç rezulton më sipër të tre ekspertët një i huaj dhe dy ekspertët shqiptarë pavarësisht se janë shprehur në akte më vete kanë arritur në një konkluzion të njëjtë në përmbajte, për rrethanat e ndodhjes së aksidentit dhe shkakut të vdekjes. Këto akte përputhen edhe me aktin e ekspertimit tekniko-topografik date 15.09.2008 të inxhinierit gjeodet Ermal Gjermani.
Më konkretisht nga këto akte ekspertimi rezulton se modifikimi i automjetit, heqja e kabinës, lëvizja në një teren malor me pjerrësi të konsiderueshme të rrezikshme, mos mbajtja e rripit të sigurimit, manovrimi i menjëhershëm i drejtuesit të automjetit në krahun e majtë kanë çuar në ndodhjen e aksidentit dhe në ardhjen e pasojës.
Kqyrja e vendit të ngjarjes, e automjetit, e kufomës, si dhe konkluzionet e ekspertëve autoteknikë për rrethanat e ndodhjes së këtij aksidenti dhe pasojës së ardhur, përputhen në analizë të plotë me të gjitha provat e tjera si dhe me aktet e ekspertimeve mjeko ligjore të grupit të ekspertëve të mjekësisë ligjore të cilët kanë konkluduar për këtë ngjarje si më poshtë :
1- Në bazë të aktit të ekspertimit mjeko ligjor nr.404 datë 12.09.2008 konkludohet se:
Ne trupin e viktimës Kosta Trebicka u konstatuan:
a-Nga këqyrja e jashtme kontuzione, shembje të indeve të buta të kokës dhe të gjoksit, plagë lacero-kontuzive, hematoma, dërmishje, ekimoza dhe gërvishtje me lokalizimet dhe karakteristikat e përshkruara më sipër, si dhe gjakderdhje në vrimat e veshëve dhe të hundës.
b-Nga këqyrja e brendshme fraktura lineare e bazës së kafkës, e cila fillon nga os temporale e djathtë dhe vazhdon në fossa krani media, sela turcika, që shtrihet si fisure deri në mesin e piramidës së majtë të sfenoidit, hematome subdurale dhe subaraknoidale, kontuzion hemorragjik i trurit, mushkërie, mëlçisë dhe veshkës së djathtë. Fraktura të brinjëve të dytë, të tretë, të katërt të anës së djathtë sipas linjës medioklavikulare dhe axilare. Vatra hemorragjike të muskujve interkostale.
c- Dëmtimet e konstatuara janë shkaktuar nga mjete të fortë mprehëse, karakteristike për traumat automobilistike, me mekanizmin e goditjes dhe ngjeshjes së trupit me një pjesë të automjetit në një objekt të fortë.
d- Shkaku i vdekjes së shtetasit Kosta Trebicka ka qenë shoku traumatik-hemorragjik i shoqëruar me kontuzionin e rëndë të trurit në terren të politraumës.
2- Në bazë të aktit të ekspertimit biologjiko-ligjor nr. 61 datë 18.09.2008 konkludohet se kampioni i gjakut i marrë nga kufoma e shtetasit Kosta Trebicka i përket grupit të gjakut A(II) rhezus (+) pozitiv. Masa me ngjyrë e fiksuar në vendngjarje me cilësinë e provës materiale objekt ekspertimi është gjak human. Ajo ka vlera të identifikimit grupor dhe i përket grupit të gjakut A ( II ).
3- Në bazë të aktit të ekspertimit Toksikologjiko-ligjor nr. 880 datë 18.09.2008 konkludohet se lëngu i ndodhur në dy shiringat sterilë të marrë në cilësinë e provës materiale nga dy bidonët plastikë të gjetur dhe fiksuar në vendin e ngjarjes, ku është gjetur i vdekur shtetasi Kosta Trebicka është ujë. Ai nuk përmban substanca të huaja të tretura në të si acide, baza, lëndë narkotike, medikamente.
4- Në bazë të aktit të ekspertimit Toksikologjiko-ligjor nr. 881 date 18.09.2008 konkludohet se në gjakun e shtetasit Kosta Trebicka Korçë nuk u zbulua alkool etilik. Në urinën e shtetasit Kosta Trebicka Korçë nuk u zbulua prania e lëndëve narkotike dhe psikotrope.
5- Në bazë të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor dhe biologjik nr. 6200 datë 16.09.2008 konkludohet se fijet e flokut modele krahasimi të mara në cilësinë e provës materiale nga koka e viktimës Kosta Trebicka paraqesin vlera identifikuese.
Qimet modele krahasimi të mara në cilësinë e provës materiale nga qafa dhe këmba e pasme e djathtë e qenit të gjahut të viktimës Kosta Trebicka paraqesin vlera identifikuese.
Qimja e marrë në cilësinë e provës materiale, fiksuar në bluzën e viktimës në vendin e ngjarjes është qime kafshe dhe jo njeriu.
Qimja objekt ekspertimi e fiksuar në bluzën e viktimës Kosta Trebicka ka karakteristika të njëjta makro dhe mikroskopike me qimet e mara në këmbën e pasme e djathtë e qenit të gjahut të viktimës Kosta Trebicka dhe për rrjedhojë duhet të jetë lënë prej tij.
6- Në bazë të aktit të ekspertimit teknik provash materiale nr. 6203 date 16.09.2008 konkludohet se copat e xhamave, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale tek koka e viktimës, në ngjarjen e datës 12.09.2008, ku nga kalimtarët e rastit është gjetur i vdekur shtetasi Kosta Trebicka në afërsi të vendit të quajtur "Kullat e Gjergjevicës", që ndodhet në aksin rrugor Voskopoje Lekas, të rrethit Korçë dhe ato të mara nga xhami i thyer i derës së krahut të djathtë të automjetit me targa TR 8843 J, bazuar në karakteristikat grupore të tyre, të cituara në akt rezultuan të njëjta.
7- Në bazë të aktit të ekspertimit teknik dheu nr. 6204 datë 16.09.2008 konkludohet se masa e dheut e përzierje me fibra bimore objekt ekspertimi e marrë në pjesën e derës së pasagjerit, mbi pasqyrën e derës së automjetit me targa TR 8843 J, paraqet karakteristika te ngjashme vizuale dhe mikroskopike ( ngjyra, madhësia e thërrmijave, mikrorelievi i thërrmijave ) me masën e dheut të marrë në sipërfaqen e tokës në afërsi të kufomës. Në masën e dheut dhe thërrmijën e xhamit marrë në sipërfaqen e tokës në afërsi të kufomës ka njolla gjaku njeriu.
8- Në bazë të aktit të ekspertimit teknik provash materiale nr. 6205 datë 16.09.2008 konkludohët se copat e ngjashme si të stukos, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale tek veshi i majtë i viktimës dhe rreth vendit ku u gjet viktima në ngjarjen e datës 12.09.2008, ku nga kalimtaret e rastit është gjetur i vdekur shtetasi Kosta Trebicka në afërsi të vendit të quajtur "Kullat e Gjergjevices", që ndodhet në aksin rrugor Voskopoje Lekas, të rrethit Korcë bazuar në disa prej karakteristikave grupore të tyre, si nuanaca ngjyre, përbërja e shtresave të bojës, rezultuan të njëjta. Copat e ngjashme si të stukos, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale tek veshi i majtë i viktimës dhe rreth vendit ku u gjet viktima në ngjarjen e datës 12.09.2008, ku nga kalimtarët e rastit është gjetur i vdekur shtetasi Kosta Trebicka në afërsi të vendit të quajtur "Kullat e Gjergjevicës", që ndodhet në aksin rrugor Voskopoje Lekas, të rrethit Korçë dhe ato të mara nga pjesë të ndryshme të automjetit me targa TR 8843 J, bazuar në ngjyrë rezultuan të njëjta, por kanë përbërje e shtresës të ndryshme.
9- Në bazë të aktit të ekspertimit kimik të bluzës nr. 6226 datë 17.09.2008 konkludohet se në bluzën objekt ekspertimi nuk u evidentua prania e nitrateve dhe nitrateve të cilat janë të pranishëm tek mbeturinat e faktorëve plotësues të qitjes.
10- Në bazë të aktit të ekspertimit teknik kimik armë dhe fishekësh nr. 6169 datë 15.09.2008 konkludohet se në tytën e armës së gjahut objekt ekspertimi, teke gjysmë automatike, kalibër 12, me nr. F165060 u evidentua prania e faktorëve plotësues të qitjes. Arma e gjahut objekt ekspertimi, teke gjysmë automatike, kalibër 12, me nr. F165060 në gjendjen që paraqitet është e rregullt teknikisht dhe e përshtatshme për të realizuar qitje. Fishekët objekt ekspertimi u përkasin fishekëve të armëve të gjahut, të kalibrit 12 të cilët përdoren si municion për armët me tyta të pavijaskuara të kalibrit 12, siç janë armët e gjahut me një dy a më shumë tyta, armët e tipit shotgan të po këtij kalibri etj,
11- Në bazë të aktit të ekspertimit daktiloskopik nr. 6414 datë 24.09.2008 konkludohet se gjurma papilare "A" e fiksuar në vendin e ngjarjes "këqyrje automjeti" Nissan Patrol me targë TR 8843 J ndodhur në datë 19.09.2008 Korçë është formuar nga gishti tregues i dorës së djathtë të kufomës të Kosta Trebickës.
12- Në bazë të aktit të ekspertimit teknik fishekësh armë gjahu nr. 230 datë 14.10.2008 konkludohet se katër fishekët objekt ekspertimi janë fishekë të kalibrit 12, që përdoren në lloje të ndryshme armë gjahu të po këtij kalibri. Katër fishekët objekt ekspertimi janë në gjendje të rregullt teknike dhe të përshtatshëm për të realizuar qitje.
13- Në bazë të aktit të ekspertimit teknik saçmash nr.229 datë 14.102008 konkludohet së nëntë saçmat objekt ekspertimi të fiksuara dhe marrë më cilësinë e provës materiale nga trupat e thëllëzave të malit, janë pjesë përbërëse e fishekëve të armëve të gjahut, që përdoren për gjuetinë e shpendëve.
Gjithashtu në lidhje me këtë procedim penal janë pyetur 23 persona me cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit, nga këta; të afërm të familjes, shokë dhe miq të viktimës, si dhe dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes.
Nga pyetja e tyre ka rezultuar e provuar mënyra e lëvizjes së shtetasit Kosta Trebicka nga data 11.09.2008. deri në datën 12.09.2008 rreth mesit të ditës ku edhe ka gjetur vdekjen nga ky aksident.
Më konkretisht shtetasi Kosta Trebicka ka dalë nga shtëpia e tij në Tiranë në datë 11.09.2008 në orën 15.20(e konfirmuar nga dëshmitari Genci Belba) me drejtim lëvizje aksin rrugor Tiranë Elbasan. Pas një ndalese për arsye pune në qytetin e Elbasanit ka vazhduar udhëtimin në drejtim të aksit rrugor Elbasan-Korçë. Ka bërë një ndalesë në qytetin e Maliqit në orën 19.30 ku është takuar me shtetasin (dëshmitarin) Genci Sulejmani tek hotel "Anspa". Pasi ka pirë një kafe tek lokali i këtij dëshmitari është nisur në drejtim të Voskopojës dhe rreth orës 21.30 ka mbëritur në hotel Akademia Voskopojë. Në këtë orë ka komunikuar në telefon me bashkëshorten e tij Brunela Trebicka duke e njoftuar për vendndodhjen aktuale dhe planin e tij për të dalë për gjueti. Ky plan i tij konfirmohet edhe nga fakti se shtetasi Kosta Trebicka ka pasur me vete qenin e tij të gjuetisë të racës SETER, armën personale të gjahut marka Raffaello Benelli me nr. Serie F165060 dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh. Pasi ka ngrënë darkë ku i ka shërbyer kamerieri i hotelit (dëshmitari) Joland Laloti, atë natë ai ka fjetur i vetëm në dhomën nr.107 dhe në orën 05.30 të mëngjesit të datës 12.09.2008 është parë nga roja i hotelit (dëshmitari) Jorgo Çelniku, duke dalë nga parkingu i hotelit me mjetin e tij. Rreth orës 06.30 ka qenë duke gjuajtur tek vendi i quajtur "Repertori" në fshatin Lekas ku mjeti i tij është parë nga (dëshmitari) Mentor Islami. Në orën 11.55 të datës 12.09.2008 ka komunikuar në telefon me bashkëshorten e tij (dëshmitaren) Brunela Trebicka të cilës nuk i ka shprehur ndonjë shqetësim por kanë bërë bisedë familjare. Në orën 12.30 ai ka bërë telefonatën e fundit shokut të tij (dëshmitarit) Ervin Hasko të cilit i ka thënë mes të tjerash "se ishte për gjueti në Voskopojë dhe kishte vrarë 10 thëllëza dhe kishte shumë të tjera, po ashtu i ka thënë se jam duke u kthyer nga gjuetia dhe do të shkoj të ha drekë në Voskopojë", po kështu sipas këtij dëshmitari ai nuk i ka shprehur ndonjë shqetësim por e ka kuptuar gjatë bisedës me të në telefon se ai (Kosta) ishte duke lëvizur me makinë.
Itinerari i lëvizjes së shtetasit Kosta Trebicka deri në momentin e ndodhjes së aksidentit provohet edhe nga deklarimet e dëshmitarëve të tjerë si më poshtë 1)Luan Strora, 2)Idajet Mujollari, 3)Ardit Fero, 4)Ledion Margo, 5)Enkeled Mollaj, 6)Arben Mujollari, 7)Bedri Vila, 8) Aleksandër Pajollari, 9)Gjergji Mullanji, 10)Skënder Feka, 11)Azbi Bicoku, 12)Koco Bardhi, 13)Ervin Mici, 14)Brahim Hasanllari, 15)Eduard Rezhda, 16) Hysen Hodaku, 17)Genci Belba.
Thëniet e këtyre dëshmitarëve përputhen në raport me të gjitha provat e tjera të sekuestruara në vendin e ngjarjes, tabulatet telefonike të ardhura nga kompania AMC mbi thirjet e telefonatave hyrëse dhe dalëse të shtetasit Kosta Trebicka.
Duke marrë në analizë të gjitha provat e administruara në procedimin penal nr.1006 viti 2008, si procesverbalin e kqyrjes së vendit të ngjarjes, procesverbalin e kqyrjes së kufomës, tabela fotografike dhe kaseta filmike e vendit të ngjarjes, këqyrja e automjetit, këqyrja e kufomës, aktet e ekspertimeve mjeko ligjore dhe kriminalistike, aktet e ekspertimeve autoteknike dhe topografike, procesverbalet e kqyrjes, marrjes dhe sekuestrimeve të të gjitha provave materiale, pyetjes së dëshmitarëve, tabulatet telefonike etj, arrijmë në konkluzionin se shtetasi Kosta Trebicka ka humbur jetën si rezultat i këtij aksidenti rrugor në mënyrën që arsyetuam në këtë vendim.
Përsa më sipër duke qenë përpara faktit se vetë drejtuesi i automjetit ka humbur jetën gjatë këtij aksidenti në arsyetim të dispozitave të nenit 290/1 të K.Penal në kuptimin e pasojave, nuk përfshihen ato që i shkaktohen vetë subjektit të veprës penale. Pra ndodhemi përpara rastit që drejtuesi i automjetit, i ndjeri Kosta Trebicka, me veprimet e tij ka shkaktuar këtë aksident që ka sjellë pasojën, vdekjen e tij.
Ky fakt në rastin konkret nuk parashikohet nga ligji si vepër penale dhe në këto kushte procedimi penal nr.1006 i viti 2008, i filluar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duhet të pushohet.
Për sa më sipër si dhe në mbështetje të nenit 328 germa "b" e K.Pr.penale
V E N D O S Ë M
1- Pushimin e hetimeve të procedimit penal nr.1006 viti 2008.
2- Të njoftojmë me këtë vendim palët e interesuara, të cilat me marrjen dijeni të këtij vendimi kanë të drejtë të bëjnë ankim kundër këtij vendimi në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Korçë ose tek Prokurori I Përgjithshëm.
3- Bazuar në nenin 190/1 të K.Pr.penale provat materiale që i përkasin sendeve personale të viktimës (sipas procesverbaleve të marrjes së tyre) ti kthehen bashkëshortes së të ndjerit, shtetases Brunela Trebicka.
Prokurori i çështjes: Hysen KULLA
DREJTUESI i PROKURORISË: Përparim VUKAJ