E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha firmos për pagesën e kartave 200 lekë

Kryeministri Berisha ka mirëpritur propozimin e opozitës për regjistrimin e të gjithë personave, që kanë mbetur jashtë liste, duke shprehur i gatshëm për bashkëpunim. Gjithashtu edhe arritjen e marrëveshjes me socialistët për çështjen e letërnjoftimeve elektronike, kreu i qeverisë e ka përshëndetur duke u shprehur i kënaqur për të, ku pas firmosjes nga ana e tij, kjo marrëveshje është kthyer në vendim qeverie. Jam shumë i kënaqur që u arrit marrëveshja. Në rast se ka persona që nuk janë në lista, në rast se ka persona që nuk kanë pasaportë, por nuk figurojnë as në lista, unë u jam shumë mirënjohës opozitës të gjejë secilin prej tyre dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur që ata marrin përsipër dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me ta në këtë fushë, për të gjetur ata, emrat e të cilëve kanë ngelur jashtë listave, ka deklaruar kryeministri Berisha, duke e cilësuar këtë një gjë tepër pozitive. Sipas kreut të qeverisë, vendimi po bëhet dhe veçoi faktin se është pranuar të shtohen disa kategori, por kjo sipas kreut të qeverisë ka ndodhur brenda 700 e ca mijëve, pasi aq janë edhe qytetarët pa pasaportë. Ne nuk dimë të ketë, janë sjellë një herë emra, por nuk mund të përjashtosh kurrë 100 përqind, prandaj po u gjetën, qëllimi ynë është që çdo qytetar që do të votojë, të votojë. Opozita tregon të njëjtin vullnet. Ne e sanksionojmë këtë me vendim, theksoi ai. Kreu i Qeverisë deklaroi se deri në datën 29 prill kanë aplikuar 706 mijë persona, ndërkohë që vlerësoi se skema e vendosur nga qeveria është një skemë e shkëlqyer, e cila absolutisht nuk lë asnjë qytetar pa kartë identiteti dhe pa votuar, për shkaqe financiare dhe teknike. Ndërsa përsa i përket mosdëshirës për të votuar, Berisha ka theksuar se nuk mund të detyrohet qytetari, sikurse ndodh në 2-3 vende të botës, sepse vendi ynë nuk posedon ligje për të detyruar pjesëmarrjen në votime. Gjatë konferencës për shtyp, kryeministri informoi se deri në datën 29 prill, Posta Shqiptare ka shpërndarë 800 mijë kuponë, ndërsa administrata qendrore lokale dhe sipërmarrjet publike kanë shpërndarë rreth 230 mijë kuponë.
Marrëveshja
Vendimi i ri i qeverisë, sipas marrëveshjes me opozitën përcakton blerjen e letërnjoftimeve me 200 lekë në postë, për çdo person pa pasaportë, që nuk përfshihej më parë në asnjë nga skemat e kompensimit të qeverisë. Kjo skemë është për të gjithë ata që nuk janë në skemën e rimbursimit që ka miratuar qeveria më 15 prill. Kjo do të thotë se të gjitha kategoritë që qeveria ka vendosur tu parapaguajë kartën, do të veprojnë sipas vendimit të qeverisë. Negociatat PD-PS kanë vendosur vetëm për pjesën e qytetarëve pa pasaporta që nuk janë në skemën e rimbursimit. Kjo kategori do të paguajë dy mijë lekë për kartën e identitetit dhe më pas, ata do të paguajnë pjesën e mbetur prej 10 mijë lekësh. Nga pagesa 200 lekë, deri më 18 qershor do të përfitojnë edhe ata persona pa pasaportë, që nuk e gjejnë emrin në listat e shpallura nga Ministria e Brendshme. Këta shtetas që janë pa pasaportë dhe nuk janë në listën e Ministrisë së Brendshme, duhet të shkojnë në komisariatet e policisë dhe të marrin një deklaratë nga drejtoria e policisë, që ata nuk zotërojnë pasaportë. Më pas, me këtë deklaratë do të paraqiten në postë për të marrë kuponin sipas lehtësirave që parashikon ky akord. Po ashtu, ata do të duhet që të bëjnë një vetëdeklarim nëse përfshihen në ato kategori, që përfitojnë nga vendimet e mëparshme të Këshillit të Ministrave për karta me 200 lekë. Nëse vërtetohet e kundërta e kësaj deklarate, atëherë shtetasi do të mbajë përgjegjësi sipas Kodit Penal.

Last Updated on Saturday, 02 May 2009 12:37

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›