PD nënshkruan marrëveshjen elektorale me çamët
Kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë të gjitha aludimet e ditëve të fundit për neglizhencë të çështjes çame duke u deklaruar në mbrojtje të saj. Pas firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit parazgjedhor me Bashkimin për Drejtësi dhe Integrim kreu i qeverisë e quajti veten avokatin e kauzës, që sipas tij do të zgjidhet përfundimisht pas integrimit në BE.
PD e ka mbrojtur çështjen tuaj, e mbron dhe do ta mbrojë si një çështje të drejtë. Ne e firmosim këtë marrëveshje për të fituar zgjedhjet, për të qeverisur së bashku dhe për të çuar përpara zgjidhjen e problemeve të këtij komuniteti të bindur se tek Sali Berisha kanë pasur dhe do të kenë një avokat të të drejtës së tyre, por tek integrimi europian do kenë dhe zgjidhjen më të mirë shprehet Berisha. Sipas tij, komuniteti çam e priti me padurim përmbysjen e diktaturës, pasi iu nënshtrua gjyqeve të pafundme, farsave gjyqësore politike, me të cilat regjimi eliminoi dhe bëri gjahun e çamëve. Enver Hoxha bëri gjahun e dytë pas Zorbës. Ndërsa kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, deklaroi se marrëveshja me PD-në është nënshkrimi i koalicionit të fitores së 28 qershorit, koalicion që do të bëjë të mundur zgjidhjen e çështjes çame, të cilën ne e kemi edhe në programin tonë.