Poni: Pasaportat aktuale për jashtë vendit, të vlefshme deri në fund të 2010
Pasaporta aktuale për jashtë shtetit, është e vlefshme deri në fund të vitit 2010. Kjo ka qenë garancia që ka dhënë zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Gjatë një deklarate mediatike, duke e vlerësuar të rëndësishëm procesin e pajisjes me pasaportën biometrike, Poni e cilësoi pasaportën e re biometrike si një dokument të një sigurie tepër të lartë, e cila ka një numër unik dhe përmban të dhëna demografike dhe biometrike, si portreti i plotë i aplikuesit, firma dixhitale si dhe shenjat e dhjetë gishtave të duarve.
Ky dokument, mjaft i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët është i prodhuar në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, bazuar në Sistemin Automatik të Identifikimit të Shenjave të Gishtave (AFIS). Para kujtdo që do të paraqiteshim me një dokument të tillë, ne do të prezantohemi si qytetarë të denjë, deklaroi Poni. Sipas tij, ritmet e aplikimit për pasaportën biometrike janë 7 deri në 10 herë më të larta, se ato të aplikimit për pasaportën aktuale për jashtë vendit, ndërkohë që ai kërkoi nga të gjithë qytetarët që të aplikojnë për t'u pajisur me këtë dokument.