Blushi, mes punëtorëve në Korçë: Pas 28 qershorit do tju sigurojmë dinjitet
Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi u takua dje, ditën e 1 Majit me dhjetëra të papunë të disa fshatrave të Korçës, të cilët i treguan atij se për shkak të mungesës së një pune të qëndrueshme janë të detyruar të sigurojnë punë periodike në të zezë. Këta banorë të varfër të Qarkut të Korçës i treguan gjithashtu Blushit listat e gjata të borxheve që ata kanë nëpër dyqanet e ushqimeve, borxhe të cilat ata janë të detyruar ti mbartin në mënyrë që të ushqejnë fëmijët.
Disa prej tyre i pohuan Blushit se në shumë raste arrijnë të sigurojnë punë vetëm 4 ditë në muaj dhe në shumicën e këtyre rasteve janë të detyruar të punojnë në kushte shumë të vështira. Blushi u shpjegoi atyre se në programin e ri qeverisës të Partisë Socialiste parashikohet që varfëria të përgjysmohet. Deputeti socialist shtoi para punëtorëve të varfër se qeveria e re do të katërfishojë ndihmën sociale, duke mos nënkuptuar me këtë vetëm ndihmën në të holla, por hapjen e vendeve të reja të punës dhe sigurimin e dinjitetit për këdo punëtor. Për fat të keq, në Korçë, por edhe në të gjithë Shqipërinë, 1 maji është dita e të papunëve, sepse fatkeqësisht ka më shumë njerëz që nuk punojnë se sa ata që punojnë, u shpreh Blushi, sipas të cilit, në Shqipëri, fuqia blerëse ka rënë sepse ekonomia është më e varfër nga çfarë ka qenë dhe sot në 20 vitet e fundit, Shqipëria është më e papunë se kurrë. Sipas Blushit, varfëria në Korçë është më e theksuar dhe për fat të keq nuk ka pasur mbështetjen e duhur nga qeveria, ku gati 150 biznese të vogla dhe të mëdha kanë falimentuar. Blushi ka bërë thirrje se është dita për të dhënë dhe për tu ngritur kundër papunësisë.