E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mashtron sërish shqiptarët për çështjen çame duke akuzuar mediat

Kryeministri Berisha ka mashtruar sërish për çështjen çame, duke deklaruar se ka biseduar me kryeministrin grek për këtë çështje. Kreu i qeverisë në këtë drejtim ka akuzuar mediat, të cilat sipas tij vrapuan të thonë se Berisha nuk e diskutoi problemin. Gjatë një konference për shtyp, kreu i qeverisë ka theksuar se ka biseduar me homologun e tij grek, Karamanlis, por gjithsesi sipas tij mes fqinjëve gjithnjë krijohen probleme për tu zgjidhur. Meqenëse sërish mediat që punojnë kundër vendit të tyre vrapuan të thonë se Berisha nuk e diskutoi problemin,po ju them se unë e diskutova problemin dhe e diskutoj atë në çdo takim, pasi unë jam bashkëfirmëtar i atij Traktati, i cili, për hir të së vërtetës, ka kthjelluar dhe vendosur shumë gjëra në interesin më të mirë të të dy vendeve dhe unë as që e konceptoj të mos i qëndroj Traktatit që kemi firmosur. Por, dihet që pala tjetër ka mendimet e veta, ne kemi tonat.Dhe e vazhdojmë, ka deklaruar Berisha. Në këtë drejtim, ai ka veçuar si të rëndësishme faktin se midis dy vendeve tona ekziston një frymë dialogu për tu dhënë zgjidhje problemeve. Çështja Çame, një nga çështjet më imperative për atë pjesë të popullsisë që ka pronat, pasuritë dhe gjithçka në shtetin helen, nuk u përmend në asnjë moment nga kryeministri shqiptar, i cili nxitoi të konsiderojë të mbyllur këtë problem. Çështja Çame nuk ka qenë pjesë e takimeve që kryeministri grek, Kostas Karamanlis ka zhvilluar në vendin tonë, me krerët më të lartë të shtetit. Gjatë takimit që kryeministri Berisha ka zhvilluar me homologun e tij grek, Kostas Karamanlis nuk është përmendur fare kjo çështje. Në këtë drejtim, qëndrimi i Athinës është mëse i qartë, se kush kërkon prona duhet ti drejtohet gjykatës dhe se zgjidhje politike për këtë çështje nuk do të ketë asnjëherë. Para disa ditësh, shoqata Çamëria i ka kërkuar kryeministrit Berisha qartësimin e qëndrimit të tij në lidhje me çështjen Çame. Duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha gjatë takimit të zhvilluar me homologun e tij grek Karamanlis, se mes dy vendeve nuk ka çështje të pazgjidhura, në kundërshtim me këtë deklaratë, ata i përmbahen një interviste televizive që kryeministri Berisha ka dhënë pak muaj më parë për një televizion të huaj, gjatë së cilës ai ka pohuar ekzistencën e çështjes Çame. Ata shprehin bindjen e tyre, se qeveria shqiptare e ka detyrim kushtetues ta trajtojë çështjen Çame e të kërkojë nga qeveria greke të ngrihet mbi hijet e errëta të së shkuarës dhe të mos e trajtojë më këtë çështje si tabu.

Last Updated on Saturday, 02 May 2009 11:55

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›