E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama u premton minatorëve firmosjen e statusit, pas 28 Qershorit

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama vizitoi dje Bulqizën, qytetin e dhjetëra minatorëve të vdekur në krye të detyrës. Kreu socialist pohoi atje se shqiptarët përballen sot me një Kryeministër tërësisht indiferent karshi punës së njerëzve të ndershëm. Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve në 1 Maj Edi Rama është ndalur pikërisht në këtë qytet ku ka prezantuar programin e ri qeverisës të socialistëve. Para qytetarë të këtij qyteti të njohur si qyteti i shpellave të vdekjes, që kishin dalë ta takonin Edi Ramën ai u shpreh se shtimi i numrit të vendeve të reja të punës dhe sidomos përmirësimi i kushteve në punë dhe rritja e sigurisë për njerëzit e punës, janë sot një problem që jo vetëm mbetet i pazgjidhur, por shkon duke u rënduar dita ditës. Shqipëria dhe shqiptarët përballen sot me një qeveri dhe me një Kryeministër, që janë tërësisht indiferent karshi punës së njerëzve të ndershëm, karshi vuajtjeve të njerëzve të punës dhe karshi pasigurisë që kanë ata që e fitojnë bukën me punë të ndershme, është shprehur Rama. Duke iu referuar sloganit të mazhorancës, Rama tha se ky slogan është shumë larg realitetit të familjeve shqiptare në mbarë vendin dhe merr një ironi të veçantë sidomos në Bulqizë, ku sipas tij, e vetmja gjë që ndryshon këtu është numri i jetëve të minatorëve të vdekur nga viti në vit. Duke premtuar kalimin në ligj të statusit për minatorët dhe për punëtorët e vështirësive të larta në punë, kreu i socialistëve shpjegoi se e gjithë shoqëria shqiptare e kërkon sot këtë status, si një akt ndjese për gjithë ata fatkeqë që lanë jetën për të siguruar bukën e fëmijëve të tyre. Pasi ta nxjerrim në pension Sali Berishën në 28 qershor, do të përcaktojmë kufirin e veçantë për pension për moshën e minatorëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›