E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha firmos bashkëpunimin me Nikollë Lesin dhe Artur Roshin



Pjesë e koalicionit të djathtë të Partisë Demokratike do të jenë dhe Partia Lidhja Demokristiane e Nikollë Lesit, si dhe Partia e Ballit Kombëtar Demokrat, e Artur Roshit. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, firmosi dje marrëveshjen e bashkëpunimit elektoral me kryetarin e PLD-së, Lesi, dhe atë të PBKD-së, Roshi. Pas ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, kryeministri Berisha u shpreh se pas zgjedhjeve do të qeverisë së bashku me Lesin. Kjo deklaratë e Berishës vjen pas ftohjes së gjatë në 2005-n midis tij dhe ish-kreut të PDK-së, Lesi. Madje në atë kohë Berisha refuzoi përfshirjen e Lesit në kabinetin e tij qeveritar. “Firmosëm këtë marrëveshje me Lidhjen Demokristiane të Shqipërisë, marrëveshje e cila garanton bashkërendimin e të gjitha përpjekjeve për të fituar zgjedhjet e 28 qershorit dhe për të qeverisur së bashku në mandatin e ardhshëm. Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme sepse pjesë e spektrit politik të maxhorancës ka qenë fillimisht Partia Demokristiane dhe më pas Lidhja Demokristiane. Me zotin Lesi kemi bërë fushatën e vitit 2005 dhe në fund të mandatit ky i gjen të realizuara më shumë se kushdo tjetër dy kërkesat e tij më madhore, të cilat janë bërë realitet. Një gjë është e sigurt, që pavarësisht nga dallimet dhe diferencat, zoti Lesi nuk e ka bashkuar votën me kundërshtarin. Ky ka pasur dhe problemet e veta, kështu që kjo është e tolerueshme. Por, kur ka ardhur puna te kthjelltësia politike, sepse këtë e tregon vota, votën e ka pasur për koalicionin në të gjitha rastet e duhura”, - është shprehur Berisha.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›