Rrëshen, kartat vijojnë të shiten 1200 lekë
Vendimi i qeverisë për pagimin e kuponëve për aplikimin për kartë identiteti në vlerën 200 lekë nuk zbatohet ende në qytetin e Rrëshenit. Banorët e qytetit edhe gjatë ditës së djeshme kanë vijuar të tërheqin kuponët në filialet e postës duke paguar çmimin fillestar prej 1200 lekësh. Punonjësit e zyrave postare në këtë qytet bëjnë të ditur se udhëzimi i Ministrisë së Financave ka mbërritur, por shkak i moszbatimit është mungesa e listave të personave pa pasaportë. Vështirësi për aplikimin me kartë identiteti kanë banorët e zonave të thella të komunave Kaçinar e Kurbnesh, të cilët duhet të udhëtojnë kilometra të tërë për në qendrën më të afërt të aplikimit të letërnjoftimeve.
Shitja e kuponëve për aplikim me tarifën fillestare prej 1200 lekësh ka qenë një fenomen i konstatuar dhe i denoncuar nga Partia Socialiste edhe në qytetin e Tiranës. Sipas selisë rozë, ky fenomen është konstatuar në filialet e postave të njësive 1, 2, 4, 5, 7, 9 dhe 11 në Tiranë.
Komuna Qendër Bilisht, probleme të theksuara për aplikimet
Në komunën Qendër Bilisht janë konstatuar probleme në aplikimin e qytetarëve. Prej shumë kohësh në këtë komunë vihen re parregullsi në procesin e aplikimit për karta identiteti. Njerëz të pranishëm pranë qendrës së aplikimit, kryesisht të moshuar shprehen se kanë shkuar për të aplikuar 3-4 herë dhe asnjëherë nuk kanë mbaruar punë. Shkaqet kanë qenë nga më të ndryshmet dhe kanë qenë të lidhura kryesisht me mungesën e dritave, shkëputjes së internetit si dhe problemeve të tjera teknike. Sybi Spaho, kryetar i Partisë Socialiste, Komuna Qendër Bilisht tha: “Krijohen pengesa të pajustifikuara, kur lokali ngjitur më komunën ka drita, këtu në komunë na thonë nuk ka drita. Ka përzgjedhje selektive të atyre që aplikojnë. Por, ka patur probleme të natyrës, jo internet, jo drita, dhe justifikime të pa baza të cilat krijojnë shqetësime te qytetarët dhe aq më keq me ata që janë 80-vjeçarë”.
Kartat, intensifikohet fushata e sensibilizimit
Qeveria dhe partitë politike kanë intensifikuar fushatën e tyre të sensibilizimit për të nxitur qytetarët që të aplikojnë dhe të pajisen me karta identitetit përpara datës 28 qershor. Përpos angazhimit qeveritar për zgjidhjen e çdo problemi që lind në këtë proces, Ministria e Brendshme ka gjetur një zgjidhje interesante për të nxitur qytetarët për aplikim. Kjo është realizuar me anë të mesazheve telefonike. Ministria e Brendshme në bashkëpunim me operatorët celularë ka dërguar mesazhe të gjithë numrave celularë në Shqipëri, ku i fton të gjithë shtetasit pa pasaportë që të aplikojnë për karta identiteti. Ndërkohë Partia Socialiste ka nisur zbatimin e strategjisë së saj për apel ndaj qytetarëve për të aplikuar. Kjo strategji po zbatohet me anë të deklaratave publike të njëpasnjëshme, ku qytetarët ftohen që të aplikojnë. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim në bashkëpunim me Lëvizjen Rinore për Integrim kanë përgatitur një spot, drejtuar veçanërisht të rinjve shqiptarë, ku u bëhet apel që të aplikojnë. Ndërkohë shumë shpejt pritet të transmetohet edhe një spot i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku qytetarëve pa pasaportë u bëhet apel që të aplikojnë për karta identiteti.
7 Maj 2009