Topalli në Velipojë: “Rama të marrë shembull nga zhvillimi lokal”
Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është ndalur dje në komunën e Velipojës. Në fjalën e saj para banorëve Topalli inkurajoi punën e pushtetit lokal për ndryshimet që i kanë bërë zonës, duke vënë paralele mes tyre dhe punës së kryetarit të Bashkisë, Edi Rama, në Tiranë. Topalli vlerësoi në takim me banorët se “Velipoja është një prej zonave më të njohura turistike në vend. Këto katër vjet ka njohur ndryshimet të jashtëzakonshme në infrastrukturë, rrugë, ujësjellës, kanalizime, në sistemin arsimor e shëndetësi”. Duke vlerësuar se mbi 12 milionë euro nga buxheti i shtetit janë investuar në rikonstruksion rrugësh, para të tjera për ndërtimin e shkollave, si dhe shumë investime të tjera në sektorët publikë, Topalli sulmoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës që ka lënë shkolla dhe sheshe pa ndërtuar në Tiranë. “Unë, zoti kryetar i komunës, ndihem shumë mirë që jam përballë kësaj shkolle të re. Në fakt kjo është vetëm njëra prej disa shkollave të tjera në komunën tuaj. Të marrë shembull Edi Rama prej jush që nuk ndërton shkolla në Tiranë, të marrë shembull që ju keni bërë sheshin e komunës dhe ai nuk e bën në Tiranë”, - është shprehur Topalli.
7 Maj 2009