Berisha firmos heqjen e vizave me Bosnjën
Shumë shpejt mes Bosnjës dhe Shqipërisë nuk do të ketë më regjim vizash. Marrëveshja u nënshkrua dje në Bosnjë-Hercegovinë mes palës shqiptare dhe asaj boshnjake. Ky dokument do të miratohet nga dy parlamentet për të hyrë më pas në fuqi. Dy kryeministrat nënshkruan gjithashtu edhe katër marrëveshje shumë të rëndësishme, të cilat, sipas Kryeministrit Berisha, janë shumë të rëndësishme për të lehtësuar pasojat e krizës ekonomike botërore. Sakaq, ministri i Sigurisë së Brendshme në këtë vend, Tarik Sadoviç dhe ambasadori i Shqipërisë atje, Pëllumb Qazimi, firmosën një tjetër marrëveshje për kooperimin e policisë. Dokumenti i tretë ishte ai "Për ripranimin e personave" dhe u nënshkruar nga Tarik Sadoviç dhe Ferit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Marrëveshja për lëvizjen e lirë të qytetarëve u firmos nga Ana Trishiç Babiç, ministrja e Jashtme e Bosnjë-Hercegovinës dhe Ferit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Duke folur për proceset integruese, Kryeministri Berisha u shpreh se "të dyja vendet janë në procesin e integrimit. Në prill, Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s. Ne mbështesim plotësisht integrimin e Bosnjë-Hercegovinës në NATO". Ndërsa homologu i tij boshnjak, Nikola Spiriç, theksoi se kriza ekonomike nuk do jetë e shkurtër, por Shqipëria dhe Bosnja do të bëjnë çdo përpjekje për të forcuar bashkëpunimin dhe për të lehtësuar pasojat e krizës botërore. Nga ana tjetër, Spiriç vlerësoi se "heqja e vizave ndërmjet dy vendeve tona do të jetë shumë e dobishme për të rritur marrëdhëniet në fushën e turizmit dhe shkëmbimeve tregtare midis vendeve". Kryeministri boshnjak shtoi se është informuar për ecurinë politike dhe ekonomike, si dhe për reformat që janë bërë në Shqipëri.