E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Pse nuk i firmosa "Dosjet"

Problemet kushtetuese me ligjin e dosjeve kanë detyruar kreun e shtetit që të mos e firmosë ligjin e mazhorancës. Këtë e deklaroi Presidenti Bamir Topi në një intervistë për gazetën kroate "Jutarnji List". Numri një i shtetit shqiptar lëshoi gjithashtu kritika të forta për korrupsionin në administratë dhe gjyqësor. Zgjedhjet e lira në vlerësimin e Topit do ta rrisnin shansin për integrimin e vendit në strukturat evropiane.

Shqipëria dhe Kroacia, muajin e ardhshëm do të hyjnë në NATO. Sa është e rëndësishme kjo ngjarje për Ballkanin?

Hyrja e Shqipërisë, së bashku me Kroacinë në NATO, ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tim. Ky është një sendërtim i dëshirës së popullit shqiptar për integrim në familjen euroatlantike. Shqipëria nuk është më e izoluar. Me hyrjen në NATO ne bëhemi vend i sigurt dhe pjesë e një rajoni të sigurt. Kjo siguri do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, sigurinë shoqërore dhe stabilitetin e institucioneve.

Ishit 28 vjeç kur vdiq Enver Hoxha. A besonit asokohe se gjatë jetës suaj Shqipëria do të bëhej anëtare e NATO-s dhe se do të jetonit në kapitalizëm?

Gjithçka që ndodhte gjatë kohës kur ishte gjallë Enver Hoxha është ngulitur thellë në kujtesën time. Shqiptarët ishin të dënuar me vuajtje kolektive. Disa u ballafaquan në mënyrë direkte me këto vuajtje, të tjerë i përjetuan indirekt. Jetonim në një shoqëri plotësisht të kontrolluar, në të cilën nuk kishte liri të shprehjes, liri të lëvizjes, si dhe asnjë lloj lirie ekonomike. Kjo kohë e Hoxhës shkaktoi shumë varfëri. Sot popullsia e Shqipërisë, relativisht e re, jeton e punon në kapitalizëm. Ajo pjesë e njerëzve që ende janë nostalgjikë për kohën e Enver Hoxhës nuk ka më asnjë ndikim.

Kur do ta paraqesë Shqipëria kërkesën për kandidaturë në BE?

Mendoj se kërkesa jonë për anëtarësim të plotë do të bëhet në një të ardhme të afërt.

Në Shqipëri, në fund të muajit qershor, do të mbahen zgjedhjet parlamentare. A do të jenë të ndershme, duke marrë parasysh vërejtjet se zgjidhjet e mëparshme nuk kanë qenë krejtësisht të ndershme?

Nëse zgjedhjet e qershorit do të jenë të lira, korrekte dhe të ndershme, ato do të jenë vendimtare për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri nuk mund të përshkruhen si të ndershme. Kësaj here, Parlamenti shqiptar ka miratuar në kohën e duhur një ligj zgjedhor, gjë e cila do të thotë se ekziston konsensus që zgjedhjet do të jenë korrekte.

Ju nuk e keni firmosur ligjin kontravers mbi lustracionin, por edhe nuk e keni kundërshtuar?

Ligji është shkruar që para dhjetë vitesh. Edhe atëbotë isha i përfshirë në politikë dhe një nga mbështetësit më të zjarrtë të hapjes së dosjeve. Mendoja edhe asokohe, por edhe tani, se njerëzit që duan të bëjnë karrierë politike duhet të jenë të pastër. Lustracioni ka qenë temë e një diskutimi të gjerë në shoqërinë shqiptare. Më në fund ligji u votua në Parlament nga shumica në qeveri. Mund të firmosja, ta kundërshtoja, ose të heshtja. Kjo e fundit nënkupton se ligji hyn në fuqi me automatizëm. Përherë kam qenë mbështetës i hapjes së dosjeve. Por, ka pasur shumë çështje mbi kushtetutshmërinë e këtij ligji. Për shkak të këtyre qëndrimeve kundërshtuese vendosa heshtjen. Partitë e opozitës dhe disa organizata kanë kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese, e kjo e fundit i është drejtuar Komisionit të Venecias (Komisioni Evropian për Demokraci nëpërmjet së Drejtës) për Këshillim. Në fund, Gjykata Kushtetuese mori vendimin për ngrirjen e zbatimit të këtij ligji, derisa të arrijë sugjerimin nga Venecia.

Sipas organizatave që matin korrupsionin, Shqipëria qëndron ende lart. A mendoni se do ta fitoni luftën kundër korrupsionit?

Është bërë një përparim i madh në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Por ky përbindësh ende ekziston. Njerëzit që ndeshen me korrupsionin më shkruajnë letra, por informacionet mbi të i marr edhe nëpërmjet kanaleve zyrtare. Korrupsioni është si puna e virusit që mbërthen tërë organizmin. Ka hyrë në institucionet publike dhe ato të drejtësisë. Korrupsioni është zgjeruar edhe në sektorin privat. Në luftën kundër korrupsionit na duhet të gjejmë metoda institucionale, por edhe të fitojmë mbështetjen e gjerë publike.

Para pak kohësh keni vizituar Kosovën. Si do ta përshkruanit raportin tuaj ndaj këtij shteti, duke pasur parasysh faktin shumë të ndjeshëm se edhe atje jetojnë shqiptarë etnikë?

Ka kaluar një vit qëkur Kosova u bë e pavarur. Udhëheqja kosovare po e drejton vendin e saj me sukses, në kuadrin e vendosur nga bashkësia ndërkombëtare. Ajo që theksohet gjithandej është se Kosova po ndërton një shoqëri multietnike. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar Presidentin serb, Boris Tadiç, që të vizitojë Prishtinën. Mendoj se tani është koha e duhur që të çlirohemi nga ngarkesa e së kaluarës, skenarë që kanë prodhuar vuajtje në mbarë Ballkanin. Kjo është koha për bashkëpunim politik dhe ekonomik të të gjitha vendeve të Ballkanit.

Vendimi shqiptar që të lëshojë një port shqiptar për nevojat e Kosovës, si dhe ndërtimi i autostradës që do të lidhë të dyja shtetet ka shkaktuar spekulime se po punohet në njëfarë mënyre për përgatitjen e një bashkimi të mundshëm të të dyja vendeve. Çfarë keni për të thënë për këtë?

Do t‘ju përgjigjem në mënyrë direkte. Kur gjatë verës së kaluar Presidenti maqedonas Crvenkovski vizitoi Shqipërinë, shprehu dëshirën që t‘i mundësojmë Maqedonisë hyrjen në Portin tonë në Durrës. Përgjigjja jonë ishte se Porti i Durrësit është i hapur në përputhje me politikën tonë për lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Në këtë kuptim po ndërtojmë edhe autostradën Durrës-Kukës-Prishtinë, në mënyrë që të mundësojmë lidhje jo vetëm me Kosovën, por me tërë rajonin, me qëllim që të gjithë ta kenë më të lehtë daljen në detin Adriatik. Lëshimi i porteve tona dhe i kapaciteteve të tyre kontribuon në zhvillimin e mbarë rajonit. Dhe kur shtrohet në pyetje Kosova, ajo do të ketë përfitim nga kjo, por nga ana tjetër, do të ketë përfitim edhe Shqipëria. Kjo, megjithatë, nuk ka asnjë lidhje me spekulimet për ndonjë bashkim.

A i ka cenuar qëndrimi juaj për Kosovën marrëdhëniet tuaja me Serbinë?

Për këtë nuk bëhet fjalë. Kur më pyetën për Shqipërinë e Madhe, mbi atë nëse duan që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen, unë u thashë shumë haptazi, se Shqipëria e Kosova së bashku me vendet e tjera të rajonit do të bashkohen, por në Bruksel, që është qendra administrative e Evropës së Bashkuar dhe selia e NATO-s. Atëbotë, madje edhe ata më ambiciozët, do të pushojnë në mënyrë përfundimtare nga ideja e të kthyerit prapa.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›