E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati nisma për hetimin e Edvinit për lejet e ndërtimit – s’dihet nëse i ka ende 20 % e bakshisheve

Përfundimi i legjislaturës nuk do ta ndalojë mazhorancën e djathtë që të hetojë e t’i thotë ndal një praktike të shitjes së lejeve të ndërtimit nga kryebashkiaku Edi Rama, në shkëmbim të privilegjeve në fushatën e ardhshme elektorale. Partia Demokratike deklaroi sot se po formalizon kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar që do të hetojë dhënien e lejeve të ndërtimit në kryeqytet, nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Deputeti Ferdinand Xhaferri, gjatë një deklarate shtypi në mesditë, tha se në mbledhjen e datës 12 prill, Këshilli i Rregulimit të Territorit të Tiranës, nga 30 projekte për punë publike dhe jopublike, 19 prej tyre ia ka dhënë studios “Ateliera 4”, të drejtuar nga Alban Eftimi, ish-shef i urbanistikës në bashkinë e kryeqytetit dhe aktualisht përfaqësues i Edi Ramës në KRT. "Kjo nuk është vetëm shkelje ligji, korrupsion dhe praktikë monopoliste, por është më tepër se kaq, një praktikë e pastër mafioze e dhënies së shërbimeve publike. Ndaj bazuar në Kushtetutë dhe rregulloren e Kuvendit ne do të ngremë një komision hetimor që t'i themi 'stop' praktikave të pastra mafioze dhe përgjegjësit të shkojnë para ligjit", tha deputeti Xhaferri, njëkohësisht Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në PD. Vetë Edi Rama është shfaqur i shqetësuar në publik për përfundimin e shpejtë të hetimit, çka jo vetëm do t’i zbulonte lidhjet me biznesmenin që shkaktoi Gërdecin, Mihal Delijorgji, por edhe do ta detyronte t’i anullonte ato e rrjedhimisht edhe të kthente bakshishet e marra me atë rast, e që sipas zyrës së shtypit të Partisë Demokratike shkojnë deri në 20 % të vlerës së objektit. Në vitin 2003, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u hetua nga një komision hetimor parlamentar, i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›