Topi: Mirënjohje SHBA për zhvillimin dhe forcimin e demokracisë në vend
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave ish-të Ngarkuarin e Posaçëm të Departamentit të Shtetit amerikan për Kosovën, Frenk Uisner në kuadër të vizitës që z. Uisner po zhvillon në vendin tonë. Në këtë takim, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen e thellë dhe vlerësimin për ndihmesën dhe mbështetjen e vazhdueshme të aleatit tonë më të madh e më të rëndësishëm, të SHBA-së për Shqipërinë për zhvillimin dhe forcimin e demokracisë në vend, konsolidimin e shtetit ligjor, të shoqërisë civile, dhe sidomos për realizimin e reformave për anëtarësimin në NATO. “Bashkëpunimi me SHBA-në në kuadrin e NATO-s do të rritet dhe në drejtim të modernizimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe bashkëpunimit më të gjerë në këtë fushë”, - vuri në dukje Presidenti Topi, duke rikonfirmuar se Shqipëria dhe faktori shqiptar do të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre të rëndësishëm e moderator në Ballkan në shërbim të rritjes e forcimit të paqes e qëndrueshmërisë rajonale.Në vijim të bisedës, Presidenti Topi vlerësoi lart mbështetjen e fuqishme amerikane për çështjen e Kosovës dhe arritjen e pavarësisë, por dhe procesin e forcimit të shtetit të ri. Në këtë kontekst, Presidenti shprehu konsideratën e tij dhe për rolin dhe veprimtarinë e z. Uisner në përmbushjen e misionit të tij si ish-i Ngarkuari i Posaçëm i Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kosovën. Ish-i Ngarkuari i Posaçëm i Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kosovën, zoti Frenk Uisner pasi i shprehu Kreut të shtetit shqiptar dhe njëkohësisht edhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura urimet më të përzemërta për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, vlerësoi arritjet e vendit tonë në proceset e tij integruese si në drejtim të reformave të rëndësishme të ndërmarra si ajo në drejtësi, reforma zgjedhore, lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimi i shtetit të së drejtës, etj.Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për krizën financiare botërore dhe efektet që mund të ketë ajo për vendet e rajonit tonë dhe ndanë të njëjtën pikëpamje se e ardhmja e të gjitha vendeve ballkanike pa përjashtim është e projektuar drejt integrimit në gjirin e strukturave euro-atlantike dhe në familjen e madhe evropiane.
...