Berisha firmos me Lesin e Roshin
Partia Demokratike ka zgjeruar më tej koalicionin e djathtë, duke firmosur edhe me dy forca të tjera politike, Lidhjen Demokristiane të Nikollë Lesit dhe Partinë Balli Kombëtar Demokrat të Artur Roshit. Në këtë mënyrë arrin në 10 numri i forcave politike, që do të dalin së bashku në zgjedhjet e 28 qershorit. Duket se demokratët nuk kanë arritur të bëjnë një marrëveshje parazgjedhore me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila do të vendosë përfundimisht të premten se cila do të jetë forca politike me të cilën do të dalë në fushatë. Në përfundim të marrëveshjes me Lesin, kryeministri Berisha tha se “Unë kam kënaqësinë që vazhdojmë së bashku të sigurt drejt mandatit të dytë. Një gjë është e sigurt, që pavarësisht nga dallimet dhe diferencat, Zoti Lesi nuk e ka bashkuar votën me kundërshtarin. Ky është fakt që nuk mund t’i mohohet. Ky ka pasur dhe problemet e veta, kështu që kjo është e tolerueshme. Por, kur ka ardhur puna tek kthjelltësia politike, sepse këtë e tregon vota, votën e ka pasur për koalicionin në të gjitha rastet e duhura”. Nga ana e tij kreu i LDK-së u shpreh se “e firmosa këtë marrëveshje më liderin e maxhorancës Sali Berisha, i bindur jo vetëm në sukseset e qeverisjes 4-vjeçare, por edhe në fitoren absolute të 28 qershorit dhe brenda koalicionit ne nuk do të kemi nevojë për votat e segmenteve të tjera politike’’. Sipas Lesit: “Në qoftë se zëri im ndonjëherë ka qenë indipendent, ka qenë brenda një maxhorance demokratike, ku secili ka të drejtën e tij të mendimit”.