“Kanosja e prokurorëve, hap prapa”
Trazhgim Sokolaj
Zyrtarizohet krijimi i zyrave Task-Force kundër krimit eko-nomik dhe korrupsionit në prokuroritë e rretheve Durrës, Fier, Vlorë, Korçë, Gjirokastër dhe Shkodër. Duke ndjekur shembullin e Njësisë Antikorrupsion të ngritur prej dy vitesh në Prokurorinë e Tiranës, Kryeprokurorja Ina Rama shpalli dje ngritjen e zyrave të ngjashme në rrethet kryesore të vendit. Zyrat në fjalë do të kenë personel nga policia, shërbimi informativ, hetues nga tatimet dhe doganat si dhe trupën e prokurorëve që do të drejtojnë hetimet kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Për këtë shkak, inaugurimi i zyrave Task-Force në rrethe është bërë me praninë e ambasadorit amerikan në Tiranë, John L. Withers II, zyrtarëve të Ministrisë së Financave, ministrit të Brendshëm, Nishani dhe drejtorit të Përgjithshëm të SHISH, Bahri Shaqiri. Pasi bëri një prezantim të ndihmës së dhënë nga Qeveria e SHBA në mbështetje të luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, përmes programit OPDAT, ambasadori amerikan Withers tha se çdo presion mbi Prokurorinë, përbën kthim prapa. "Prokurorët kanë punë shumë të vështirë këtu në Shqipëri, pjesërisht për shkak të madhësisë së Shqipërisë. Ashtu si në shumë shtete të vogla në ShBA, cilido njeh këdo. Pavarësisht nga situata, prokurorët duhet të mbeten të pavarur dhe të lirë nga shtrëngimi apo ndikimi politik. Duhet të jenë të lirë të gjurmojnë faktet kudo që çojnë, si dhe duhet të kenë guximin për ta bërë këtë", tha ambasadori Withers. Ai shtoi më tej se, "Shqipëria duhet të përkushtohet ndaj mbrojtjes së pavarësisë së pro-kurorëve për të siguruar përparimin e saj demokratik. Çfarëdo kanosje ndaj kësaj pavarësie është një hap i qartë prapa. Mbi prokurorët nuk duhet të ketë kurrfarë trysnie politike". Duke vlerësuar punën e bërë nga Njësia Task-Force në Tiranë gjatë dy viteve të fundit, Withers pohoi se Mali i Zi ka marrë shembull prej kësaj në ngritjen e një zyre të tillë antikorrupsion. "Prokurorë deri edhe nga Kirgistani duan të vizitojnë Njësinë e Përbashkët Hetimore të Tiranës për të mësuar se si dhe pse është kaq e suksesshme", tha më tej Withers, duke shtuar se kjo zyrë është model i bashkëpunimit të Prokurorisë me Policinë. Megjithatë, diplomati i SHBA pohoi se, pavarësisht nga shumë suksese, mbetet shumë punë për të bërë. "Javën e kaluar, USAID nxori sondazhin e vitit 2009 mbi korrupsionin në Shqipëri, perceptimet dhe përvojat. Jo të gjitha lajmet e sondazhit ishin të mira", veçoi ambasadori Withers. Sipas tij, sondazhi tregoi që publiku shqiptar ende ka një vështrim negativ për institucionet e veta publike në përgjithësi, por sidomos në aftësinë e atyre institucioneve për të luftuar korrupsionin. "Megjithatë, lajmi i mirë është se perceptimi i publikut për Prokurorinë në luftën kundër korrupsionit tregoi përmirësimin më të madh të të gjitha institucioneve publike (një rritje prej 6.1% nga viti 2005 në 2009)", sqaroi ambasadori. Ai vëren se "me gjithë këtë përmirësim të theksuar, Prokurorisë ende i mungon besimi dhe mbështetja e shumicës së publikut shqiptar". Withers u përqendrua edhe tek kujdesi që prokurorët duhet të bëjnë me kompetencat që u jep ligji. "Veçanërisht prokurorët kanë fuqi shumë të mëdha për të kryer hetime dhe për të përdorur të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për ta bërë këtë. Një fuqi e tillë, megjithatë, duhet trajtuar me respektin që meriton. Sepse një fuqi e tillë mbart një përgjegjësi shumë të madhe. Aftësia për të marrë lirinë e dikujt është përgjegjësi vetëm e atyre që kanë integritetin dhe karakterin moral më të lartë", theksoi ambasadori i SHBA në Tiranë.
Krerët e Task-Forcë në rrethe
Altin Dumani, Tiranë
Dritan Rreshka, Durrës
Alma Koka, Fier
Dorjan Tafili, Vlorë
Arta Marku, Shkodër
Arben Pasha, Gjirokastër
Elision Sadiku, Korçë
Ina Rama: Hetuam 187 zyrtarë për korrupsion
TIRANE - Memorandumi për krijimin e zyrave antikorrupsion në rrethe u firmos dje nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama; ministri i Brendshëm, Nishani; ministri i Financave, Bode; drejtori i SHISH, Bahri Shaqiri; kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku dhe kryetari i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Adriatik Llalla. Ngritja e Task-Forcës në rrethe është pjesë e Programit të Pragut II, që bën pjesë në Korporata Sfida e Mijëvjeçarit. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, tha dje se treguesit e Njësisë Task-Forcë për Tiranën në dy vitet e funksionimit të saj kanë ardhur gjithnjë në rritje. Për vitin 2008, Njësia e Tiranës ka hetuar gjithsej 335 procedime penale me 280 persona të pandehur, nga të cilët 124 të arrestuar. "Janë përfunduar 134 procedime penale me 187 të pandehur, nga të cilët 68 të arrestuar. Nga 335 procedime penale që janë hetuar rezulton se 137 janë për vepra penale korrupsion dhe abuzime me detyrën, 78 për vepra penale në fushën e tatimeve dhe doganave dhe 120 për vepra penale të tjera", tha Ina Rama.